Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thotë se sondazhi i Gallup International Associaciation pasqyron gjendjen e shoqërisë Serbe. Biserko thotë se liderët politik në Serbi po shpresojnë në fitoren e Trump sepse në këtë mënyrë Vuçiq synon ti rris ambiciet e Serbisë ndaj Kosovës dhe vendeve të rajonit.
Shumica e vendeve evropiane përfshi Kosovën do të preferonin që Kamala Harris të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë për 4 vitet e ardhshme.
Por jo edhe Serbia.
Sipas sondazhit të Gallup International Association, shteti serb dallohet në Evropë me mbështetjen e fortë për Donald Trump.
Rreth 59% e serbëve preferojnë që lideri i republikanëve të udhëheq me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo e bën Serbinë së bashku me Hungarinë ta kenë nivelin më të lartë të mbështetjes për Trumpin.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thotë se ky sondazh reflekton karakterin e politikës serbe.
“Ky sondazh reflekton karakterin e shoqërisë serbe dhe më shumë karakterin politik të lidershipit autoritar në Serbi. Në mandatin e tij të parë, Donald Trump, nuk kishte shumë njohuri për Ballkanin dhe i la gjërat të shkonin në një drejtim tjetër. Ai e shtyu idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, që më vonë u parandalua nga kancelaria gjermane, Angela Merkel. Nëse ai fiton sërish, Serbia do t’i rris ambiciet e saj ndaj Kosovës dhe shteteve tjera të rajonit. Serbia më vëmendje është duke i ndjekur këto ndryshime gjeopolitike dhe strategjike që po ndodhin në botë”, ka deklaruar ajo.
Tutje ajo vlerëson se shoqëria serbe është shumë e manipuluar si pasojë e politikave nacionaliste.
“Që pas përfundimit të konfliktit shoqëria serbe në masë të madhe vazhdon të jetë e manipuluar dhe këtë e ka shfrytëzuar në maksimum Aleksandar Vuçiq, me politikat e tij nacionaliste. Kjo mendësi e shoqërisë serbe nuk do të ndryshojë edhe për një kohë të gjatë pavarësisht se kush do të jetë në pushtet në të ardhmen”, tha ajo.
Gjithnjë sipas sondazhit të Gallup International Association, kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris, gëzon një mbështetje të gjerë në pjesën më të madhe të Evropës, veçanërisht në vendet veriore të njohura për vlerat progresive. Në Danimarkë, 85% e të anketuarve mbështesin Harris, e ndjekur nga Finlanda me 82% dhe 81% në Norvegji dhe Suedi.
Ndërkaq rreth 55 për qind e kosovarëve janë shprehur në favor të Harrisit, kurse për ish-presidentin amerikan janë deklaruar vetëm 27 për qind e të anketuarve.