Shqipëria dhe Kosova përgëzojnë zotin Trump

Aktuale

Shqipëria dhe Kosova përgëzojnë zotin Trump

Më: 6 nëntor 2024 Në ora: 11:34
Donald Trump

Udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës, shfaqën shpresën për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, pasi ish Presidenti Donald Trump shpalli fitoren në zgjedhjet e së martës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përgëzoi ish Presidentin Trump, duke shkruar se “ka qenë nder të punoj me ju sa keni qenë president për t’i forcuar lidhjet në mes të të dyja shteteve. Do të kem privilegjin të punoj me ju si presidenti i 47-të, për të rritur partneritetin për paqe, begati dhe përparim të mëtejmë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke përgëzuar ish Presidentin Donald Trump, shkroi se “Shtetet e Bashkuara mbeten partner i palëkundur dhe aleat i domosdoshëm i Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë të veçantë dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, udhëheqësen e botës së lirë”, shkroi presidentja Osmani në rrjetet sociale.

Udhëheqës të partive politike në Kosovë përgëzuan po ashtu ish Presidentin Trump, duke shfaqur shpresën se vendi do të ketë vëmendjen e administratës së re dhe mbështetjen e saj në proceset integruese euroatlantike.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në urimin e tij shkroi se “së bashku, ne do të përballemi me sfida serioze. Serbia është e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara për qëndrueshmërinë, rritjen ekonomike dhe paqen”.

Presidenti pro-rus i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik tha se fitorja e zotit Trump, është “është një nga fitoret më të rëndësishme elektorale në historinë e Shteteve të Bashkuara, por edhe të botës".

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, tha se vendi i tij mbetet i përkushtuar për forcimin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara.

“Kjo fitore është një konfirmim i besimit të thellë të popullit amerikan në parimet e lirisë dhe demokracisë. Ne shpresojmë të thellojmë më tej partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe reformën demokratike. Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për ndërtimin e lidhjeve edhe më të forta me SHBA-në, si aleat dhe mik strategjik, që do të vazhdojë të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e të gjithë rajonit”, shkroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat