Ish-bashkëluftëtari i Adem Jasharit, Xhevahir Geci, për procesin gjyqësor në Hagë kundër ish-liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka theksuar se po bëhen padrejtësi të mëdha edhe pse procesi është duke u stërzgjatur.
Gecia ka deklaruar se ushtria kishte si mision mbrojtjen e popullatës civile të çdo etnie.
“Është duke u stërzgjatur dhe duke u bërë një padrejtësi e madhe, për shumë arsye, sepse UÇK-së nuk i përkasin këto aktakuza siç pretendohet pasi kemi qenë ushtri çlirimtare ashtu qysh e ka edhe emrin. Misioni ka qenë të mbrojmë popullatën civile të çdo komuniteti, t’i mbrojmë prej terrorit serb”, ka thënë Geci.
Ai e përshkruan Thaçin si një person me vizion dhe të mençur, duke theksuar se nuk beson në fajësinë e tij apo të të akuzuarve të tjerë.
“Jemi njohur të gjithë prej idealit, por edhe prej aksioneve tona kemi qenë me gjithë secilin të njohur. I kam njohur secilin se kemi qenë një rajoni bashkërisht dhe kemi pasur vendin kyç te komandanti legjendar Adem Jashari….Shtëpia e komandantit me tërë familjen ka qenë baza e gjithçkaje, aty kemi marrë një vullnet të fuqishëm, por kemi qenë një grup me vullnet jashtëzakonisht të madh dhe ai ka rezultu me gjithë organizimin që e kemi bërë bashkërisht ka rezultuar me një fitore që sot jemi duke e jetuar”, ka thënë ai.
“Do të më vinte turp të thuhet se janë fajtorë. Motoja jonë ka qenë të sjellim lirinë pa ia cenuar askujt tjetër të drejtën për të jetuar të lirë në trojet e Kosovës, pavarësisht etnisë”, është shprehur tutje ai.
Geci ka apeluar për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar rëndësinë e tyre për Kosovën.
“Ata duhet të jenë të lirë dhe të marrin proceset aty ku i kanë lënë. Politika kosovare ka rënë në ngërç, dhe vendi ka nevojë për ta për t’i zgjidhur problemet me Serbinë”, ka potencuar ai.