Profesori britanik komenton mundësinë e veprimeve të Serbisë ndaj Kosovës

Aktuale

Profesori britanik komenton mundësinë e veprimeve të Serbisë ndaj Kosovës

Më: 6 nëntor 2024 Në ora: 21:39
James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës

James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, nuk e sheh të mundshëm marshimin e Serbisë me trupa për të rimarrë Kosovën.

Këtë deklaratë, profesori britanik, i cili e njeh shumë mirë situatën në rajon, e dha duke iu përgjigjur një pyetjeje se a ka rrezik që Serbia të përdorë forcën që ta rimarr Kosovën pa masa ndëshkuese, nëse BE-ja bëhet e varur nga litiumi i Beogradit.

“Absolutisht jo”, tha i prerë Ker-Lindsay.

Ai përmendi shumë arsye pse beson që kjo nuk mund të ndodhë.

“Një: marshimi i Serbisë në Kosovë do të ishte një hap shumë i ngutshëm. Mendoj se aty janë ende paqeruajtësit e NATO-s. Mendoj, të jem i sinqertë, politik-bërësit serbë, pavarësisht se çfarë thonë se ‘Kosova është Serbi’ e të ngjashme… ka ende disa elemente interesante që duhen diskutuar, por unë them, nëse Serbia do të tentojë të marrë Kosovën me forcë, do të ballafaqohej me një përqindje shumë të madhe, me rreth 2 milionë njerëz që thjeshtë nuk duan të jenë pjesë e shtetit të Serbisë”, deklaroi profesori britanik.

Sipas tij, rimarrja potenciale e Kosovës do të ishte jashtëzakonisht e shtrenjtë për Serbinë sepse do të duhej të ofrojë shëndetësi, edukim e të ngjashme, madje ai thotë se “tentimi për të ruajtur paqen dhe sigurinë atje do të ishte jashtëzakonisht, pabesueshëm, e shtrenjtë dhe me kosto shumë të lartë edhe për shumë serbë ordinerë”.

“Shumë serbë do të thonë se e duam kthimin e Kosovës, por ideja e marrjes me forcë do të thyente marrëdhëniet me BE-në, NATO-n… thjesht nuk e shoh të ndodhë kjo”, u shpreh ai.

Megjithatë, ai është i besimit se duhet të ketë një zgjidhje për Kosovën. “Mendoj se rasti i Kosovës është trajtuar shumë keq, dhe kam folur shpesh për këtë çështje, se duhet gjetur një zgjidhje përfundimtare të duhur për çështjen e Kosovës. Ka mënyra për ta bërë këtë, por marshimi i Serbisë në Kosovë, edhe me litiumin, nuk është diçka që unë e shoh në agjendë”.

“Kosova dhe Serbia është një nga ato situatat që i njoh shumë mirë, dhe kam shkruar shumë për to… duhet një zgjidhje, por ideja e rimarrjes me forcë nga Serbia… pikë së pari, nuk e shoh si, dhe së dyti, nuk e di pse! Sepse do të krijonte shumë probleme për Serbinë, probleme afatgjata, edhe me litiumin, askush nuk do t’i japë kalim të lirë”, deklaroi profesori në Shkollën Ekonomike të Londrës, James Ker-Lindsay.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat