Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka komentuar zgjedhjen e Donald Trump si president të SHBA-së, duke theksuar se Kosova nuk ka arsye për frikë.
Sipas saj, pavarësisht ndryshimeve në presidencë, Kosova është e angazhuar që këto raporte të zhvillohen më tej.
“Nuk ka ndonjë arsye për t’u frikësuar Kosova për një gjë të tillë. Ne e dimë që Kosova dhe SHBA-ja kanë një raport të jashtëzakonshëm dhe të veçantë, ajo çfarë Qeveria jonë dhe në anën tjetër presidenca Trump duhet të mirëmbajnë këtë marrëdhënie dhe kjo aleancë të rritet në të ardhmen. Unë nuk besoj që kemi ndonjë arsye për t’u frikësuar se diçka e keqe mund të ndodhë në vazhdim përderisa kemi në krye institucionet ose përfaqësues të cilët punojnë për të forcuar këtë marrëdhënie shumë të mirë që Kosova ka me SHBA-në. Unë mendoj që Kosova ka raporte të mira me SHBA-në dhe pavarësisht faktit që kemi një president të ri, Kosova do të punojë fuqishëm që ky raport të rritet dhe të vazhdojë më tutje”, ka deklaruar Kryeziu –Hyseni.
Ajo gjithashtu u distancua nga deklaratat e kryediplomates Donika Gërvalla të bëra më herët, duke theksuar se situata ka ndryshuar dhe prioritetet sot janë të tjera.
“Po besoj e dina cilës periudhë iu referohet kjo deklaratë dhe për çfarë konkretisht kemi folur në atë kohë për tema që kanë qenë të ndjeshme dhe besoj që janë të ndjeshme edhe sot. Por mendoj që sot nuk është thelbi i temave ky për atë se çfarë kemi folur vite më parë kur është lëshuar kjo deklaratë. Ne nuk e dimë ende se cilët janë personat që do të përfaqësojnë departamenteve e ndryshëm brenda Shtëpisë së Bardhë. Qofshin edhe ata që dikur kanë udhëhequr në të kaluarën të vijnë me mendësi te re me idenë për të punuar për shtetin që të fuqizohen dhe të ndihmojë Kosovën qoftë për rrezikut prej shteteve fqinje”, ka deklaruar Kryeziu – Hyseni.
Kryeziu-Hyseni nënvizoi rëndësinë e përfaqësuesve të rinj në Shtëpinë e Bardhë, që mund të sjellin ide të reja për mbështetjen e Kosovës.