Gazetarja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Arbana Xharra, ka thënë se në të gjitha analizat e deritashme, ekonomia del të jetë arsyeja kryesore që i solli fitoren, Donald Trumpit.
Xharra ka shtuar se kjo ka ndodhur për shkak se amerikanët shpresojnë që Trump do të bëjë ndonjë ndryshim në këtë aspekt duke qenë se sipas saj, ata janë duke u përballur me një krizë ekonomike.
“Doli se elementi kryesor ka qenë edhe ekonomia për shkak se amerikanët janë duke u ballafaquar edhe me një krizë ekonomike dhe inflacion shumë të lartë dhe kjo është arsyeja pse kanë votuar Trumpin duke besuar se ai do të bëjë një ndryshim në aspektin ekonomik. Ajo që i solli fitoren Trump në gjithë analizat del se është ekonomia”, ka thënë ajo.
Më tej, ajo ka thënë se shpreson që Kosova do të ketë një ndryshim në qasjen ndaj administratës Trump sepse për mendimin e saj me gjithë zhvillimet në botë Kosova nuk është në top agjendë.
“Po shpresoj se do të kemi ne një ndryshim të qasjes ndaj administratës amerikane në këtë rast presidentit Trump, ne duhet të kemi një qasje pak më të afërt për shkak të shumë zhvillimeve që po ndodhin në mbarë botën ne nuk është se jemi në top agjendë kështu që ne duhet të jemi ata që përkushtohemi pak më tepër në relacion me aleatin tonë amerikanë”, ka shtuar ajo.