U arrestuan në Han të Elezit për marrje të ryshfetit lidhur me patentë shoferët, deklarohet Prokuroria

Aktuale

U arrestuan në Han të Elezit për marrje të ryshfetit lidhur me patentë shoferët, deklarohet Prokuroria

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 10:45
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se personat e arrestuar janë një grua me inicialet H.S dhe një burrë me inicialet E.S

Dy persona janë arrestuar të mërkurën në Han të Elezit, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe marrje të ryshfetit.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit me qëllime të përfitimit personal kanë pranuar ryshfet nga klientë të ndryshëm, duke u mundësuar marrjen e patentë shoferit.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se personat e arrestuar janë një grua me inicialet H.S dhe një burrë me inicialet E.S.

“Duke ju referuar kërkesës suaj për informata, ju njoftojmë se për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar dy persona, të dyshuarën më iniciale H.S., dhe të dyshuarin E.S., në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 dhe “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” nga neni 309 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë deklaruar nga Prokuroria.

Prokuroria Themelore në Ferizaj gjithashtu ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtëve do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.

Në media u raportua se e dyshuara H.S është drejtoreshë e Kulturës në komunën e Kaçanikut, mirëpo nga Prokuroria kanë thënë se “ dy personat e ndaluar në këtë rast nuk janë persona zyrtar”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat