Osmani në Hungari: Nuk e shoh Trumpin kërcënim – ne u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet, të lirë kur ishin demokratët
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është për vizitë në Hungari në Samitin e Komunitetit Politik të Evropës.
Ajo para fillimit të samitit theksoi se beson fuqishëm që do të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet Evropës dhe SHBA-së edhe nën administratën e presidentit Donald Trump.
E para e shtetit të Kosovës është pyetur edhe lidhur me raportet Kosovë-SHBA, pas zgjedhjes së Trumpit president.
“Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën të presidentit Trump”, u shpreh presidentja,
Ajo tutje shtoi se nuk e sheh si kërcënim për Kosovën zgjedhjen e Trumpit president pasi Kosova gjithnjë ka pasur mbështetje si nga republikanët, po ashtu edhe demokratët.
“Nuk e shoh si kërcënim. Kosova, në fakt, ka përfituar për dekada nga një mbështetje shumë dypartiake nga Shtetet e Bashkuara. Ne u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet. Ne u bëmë të lirë kur demokratët ishin në pushtet… Ne kemi punuar shumë ngushtë me çdo administratë dhe besoj fuqimisht se do të vazhdojë të jetë kështu”, tha ajo.
Presidentja tutje duke folur për Samitin e Komunitetit Politik të Evropës tha se është një mundësi e mirë për të diskutuar dhe gjetur zgjidhje për sfidat.
Osmani: Nuk takohem me Vuçiqin, takimet e dialogut kryhen në Bruksel
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk do të ketë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Budapest të Hungarisë.
Në konferencën para mediave, ajo ka deklaruar se takimet në kuadër të dialogut zhvillohen në Bruksel.
“Poashtu do të takohem me liderë të shteteve të tjera për të biseduar për lidhjet dhe raportet tona, por edhe për t’iu kërkuar mbështetjen e tyre për integrimin euro-atlantik të Kosovës”.
“Normalisht ne nuk takohemi. Siç e dini Kosova dhe Serbia takohet në kuadër të procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-j, bisedimet janë duke vazhduar në Bruksel mes kryenegociatorëve, kryesisht në atë se si mund të ecim para në implementimin e marrëveshjeve që janë arritur”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani pritet nga Viktor Orbani në Hungari
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar kryeministrin hungarez, Viktor Orban për mikpritje.
E para e vendit ndodhet në Budapest në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
Në këtë samit, Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Evropë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.
“Presidentja Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të EPC-së, si dhe do të mbajë dy fjalime, njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike. Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë”.
“Gjatë qëndrimit në Budapest, Presidentja Osmani pritet të zhvillojë një takim edhe me mërgatën shqiptare në Hungarisë Komuniteti Politik Evropian është një platformë për liderët evropianë për të diskutuar çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti, nga siguria dhe migrimi te stabiliteti ekonomik dhe mjedisi. E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe ta thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe jashtë saj”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.