​ORCA kundër afateve shtesë të provimeve në UP

Aktuale

​ORCA kundër afateve shtesë të provimeve në UP

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 12:23
Universiteti i Prishtinës

Organizata ORCA ka kundërshtuar thirrjen për bojkot të mësimit nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, për shkak që siç kanë thënë të mosplotësimit të kërkesës ilegale për caktimin e afateve shtesë të provimeve në UP.

Statuti i ri ashtu si edhe statuti i kaluar, sipas ORCA-s janë të qartë që në UP ekzistojnë 3 afate provimesh dhe nuk përmend askund mundësinë e organizimit të afateve tjera të provimeve.

“Gjatë draftimit të Statutit të ri të UP-së, përfaqësuesit studentor kanë qenë pjesë e grupit punues dhe nuk e kanë ngritur këtë çështje. Tani ORCA thërret në respektimin e Statutit dhe ligjshmërisë në organizimin e jetës akademike në Universitetin e Prishtinës. Organizimi ilegal i afateve shtesë të provimeve, që ishte praktikë e deritashme e Universitetit të Prishtinës, ka dëmtuar cilësinë në arsimin e lartë, ku gjatë këtyre afateve sallat e ligjëratave boshatisen, aktivitetet tjera akademike shuhen në periudha të shpeshta sa herë që mbahen afatet ilegale shtesë të provimeve”, thuhet në komunikatë.

ORCA thërret për respektim të ligjeve dhe Statutit, dhe njëkohësisht mbështet vendimin e Senatit që të mos e miratojë asnjë kërkesë që nuk ka bazë në Statut apo në ligje të aplikueshme në Kosovë.

ORCA u ka bërë thirrje studentëve që ta bojkotojnë apelin e Parlamentit Studentor për braktisje të ligjëratave dhe të vazhdojnë normalisht jetën akademike e të përgatiten për afatin e rregullt të provimeve në janar të vitit të ardhshëm.

“Po ashtu, ORCA u bën thirrje profesorëve që të bëjnë vlerësimin e vazhdueshëm të studentëve përmes metodave të kombinuara e jo vetëm me një provim në fund të semestrit. Ky është po ashtu obligim statutar për të cilin menaxhmenti duhet të sigurohet se po zbatohet në përpikëri”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat