​FOL: Qeveria përmes Projektbuxhetit po vendos një praktikë të dëmshme në Ligjin për pagat

Aktuale

​FOL: Qeveria përmes Projektbuxhetit po vendos një praktikë të dëmshme në Ligjin për pagat

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 13:58
FOL

Qeveria e Kosovës përmes dispozitës së nenit 33 të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës sё Kosovës për vitin 2025, i cili i është propozuar Kuvendit të Kosovës, po vendos një praktikë të dëmshme juridike dhe ligjvënëse, duke ndërhyrë në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Në reagim e FOL thuhet se përkatësisht neni 9 i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik ka përcaktuar se vlera monetare e koeficientit të pagave të të punësuarve në sektorin publik të përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit, ndërsa në asnjë rast nuk e ka autorizuar Qeverinë e Republikës së Kosovës që me ligjin vjetor të buxhetit të ndryshoj strukturën e koeficientëve, veçse të përcaktuar në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

“Kjo praktikë e propozuar ka ngjallur shqetësime për mënyrën e ndjekur, pasi nuk respekton në tërësi dispozitat e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, i cili është ligj special (lex specialis) që përcakton në detaje strukturën dhe nivelet e pagave në sektorin publik. Ndryshimi i tij përmes një ligji tjetër special, siç është Ligji vjetor mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës sё Kosovës, krijon precedent të gabuar në praktikën ligjore dhe ligjvënëse, duke anashkaluar procedurat e zakonshme për ndryshime ligjore në Kuvend”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se ndryshimet në Ligjin për Pagat përmes Ligjit për Buxhetin mund të ngjallin pikëpyetje për koherencën dhe qëndrueshmërinë e sistemit ligjor. Për më tepër, kjo praktikë mund të hapë rrugën për ndryshime të tjera të ligjeve specifike përmes ligjeve të ndryshme në të ardhmen, gjë që mund të përdoret në mënyrë të papërshtatshme.

“Ndryshimet në ligje duhet të kryhen përmes procedurave legjislative të parashikuara, duke respektuar parimet e transparencës dhe përfshirjes së akterëve të interesuar. Vetëm kjo garanton që çdo ndryshim të jetë i studiuar mirë, i qëndrueshëm dhe të përputhet me parimet kushtetuese dhe ligjore.

Në fund të reagimit thuhet se “Rrjedhimisht, kërkojmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të veprojnë me përgjegjësi dhe të mbrojnë integritetin e sistemit ligjor të Kosovës, duke siguruar që çdo ndryshim ligjor të jetë i miratuar vetëm në përputhje me procedurat dhe parimet kushtetuese dhe ligjore, për të shmangur precedentët e rrezikshëm që mund të dëmtojnë interesat e qytetarëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat