Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani beson se presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, do ta rishqyrtojë marrëveshjen e 2020 mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në Uashington dhe se do ta qojë përpara.
Sipas tij, sulmi terrorist i Serbisë në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar do bëjë që te ketë ndryshim të qasjes.
“Sulmi në Banjskë e ndryshon qasjen në raport që ka qenë në vitin 2020. Shumica e pikave të asaj marrëveshje janë në favor të Kosovës, por duhet të ketë ndryshime për shkak se ndryshimet që kanë ndodhë do të kenë reflektim te ajo marrëveshje. Mendoj se Trump do ta rishqyrtojë marrëveshjen e vet… do të shtojë apo heq pika të cilat janë në rrethanë me kohën”, ka thënë Hasani.
I pyetur nëse Trump mund ta pushojë marrëveshjen e Brukselit ai nuk e ka përjashtuar një mundësi të tillë.
“Mundësit për pushim janë, për shkak se kemi agresionin e Serbisë më 24 shtator dhe ajo do të ndryshojë qasjen”, ka thënë Hasani.
Ish-diplomati i pyetur për mundësinë e kthimit të idesë së shkëmbimi të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se sa më shpejt që arrihet një marrëveshje për normalizim është më mirë.
“Marrëveshjet e 4 shtatorit për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë do të vijnë. Me shtetin fqinj, domosdo kemi me pas marrëdhënie… Sa më shpejtë që mund të vijë një zgjidhje do të jetë një normalizim më i mirë për gjeneratat, zhvillimin ekonomik, rajonin e të gjitha. A është e pajtueshme apo jo për qeveritë që do vijnë mbas zgjedhjeve, a ty do të shohim”, ka thënë Hasani.