Pronarja e autoshkollës e arrestuar për ryshfet, drejtoreshë në Komunën e Kaçanikut

Aktuale

Pronarja e autoshkollës e arrestuar për ryshfet, drejtoreshë në Komunën e Kaçanikut

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 19:03
Ilustrim

Mbrëmë Policia e Kosovës ka raportuar se janë arrestuar dy persona nën dyshimet për pranim ryshfeti dhe falsifikim me dokumente. Njëri nga pronaret është Drejtoreshë në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Kaçanikut dhe të njëjtën kohë kryetare e degës së AAK-së në këtë komunë. Nga opozita kërkohet shkarkimi i saj kurse komuna hesht.

Lejen për vozitje e kanë marrë. Por disa shoferë testime për pajisjen me patentë nuk kanë bërë. Në vend kësaj dyshohet se kanë dhënë ryshfet.

Krejt këtë po dyshohet që e ka bërë një autoshkollë në Komunën e Kaçanikut.

Policia ka njoftuar se dy pronarët e autoshkollës janë arrestuar.

“Më datë 06.11.2024, pas pranimit të Urdhëresës nga Gjykata Themelore-Ferizaj, në koordinim me Prokurorin përgjegjës të rastit, janë kontrolluar-bastisur dy zyrat, në lokacionet e sipër cekura, ku janë siguruar dhe sekuestruar disa dëshmi- prova materiale që ndërlidhen me rastin si në vijim: Dy (2) Telefona mobil; Regjistratorë-Libra- gjithsej pesë (5); Fletore regjistrimi; fletore interne; Gjashtëdhjetë e katër (64) dosje origjinale të kandidatëve; Njëzet e një (21) Certifikata mjekësore-të shoferëve profesional-për punë”, thuhet nga Policia.

Por nga kjo autoshkollë nuk pranuan të flasin.

Madje e mohuan arrestimin e tyre.

Pronarja e kësaj autoshkolle, rezulton të jetë edhe Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Kaçanikut, Hafize Sallahu.

Megjithatë as kryetari i kësaj komune nuk pranoi të prononcohet.

E nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se për këtë kryetari duhet ta shkarkojë nga detyra drejtoreshën e Drejtorisë së Kulturës.

“Kjo të bën me kuptu që ekzekutivi komunal nuk ka zgjedh mjetin nuk ka zgjedhur strukturë mirëpo ka zgjedhur vetëm pazare në subjektet politike për mi arrit qëllimet e veta. Besoj që arrestimi i drejtoreshës së Kulturës është i emëruar nga ekzekutivi, nga kryetari i Komunës e është edhe obligim moral dhe kryetari duhet me urgjencë ta shkarkojë drejtoreshën e Kulturës deri në zbardhjen e rastit të saj”, thotë Agim Mani- asamblist i VV-së.

Drejtoresha e arrestuar në lidhje me dyshimet për ryshfet është edhe kryetare e degës së AAK-së në Kaçanik.

Mirëpo nga radhët e kësaj partie në këtë komunë nuk pranuan të flasin pasi thanë që për këtë çështje janë informuar ndërmjet medieve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat