​Abdixhiku: LDK-ja është ngritur në këmbë, s’ka asgjë që mund ta ndalë

Aktuale

​Abdixhiku: LDK-ja është ngritur në këmbë, s’ka asgjë që mund ta ndalë

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 21:01
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë për ndryshim në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, duke thënë se adresa e vetme për zhvillim ekonomik dhe konsolidim të shtetësisë së Kosovës është LDK-ja.

Lideri i LDK-së, në turneun të cilin e kanë quajtur të ndryshimit në Prishtinë para simpatizantëve të shumtë, tha se LDK-ja është ngritur në këmbë dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë.

Abdixhiku: LDK-ja është ngritur në këmbë, s’ka asgjë që e ndalë

“Kur gjërat shkojmë keq dhe mbrapsht dhe kur eksperimentet përfundojnë ata kanë një adresë dhe kanë një drejtim dhe një shtëpi të vetme - Lidhjen Demokratike të Kosovës… Lidhja Demokratike e Kosovës është ngritur në këmbë dhe kur LDK ngrihet më këmbë s’ka asgjë që e ndalë… Ky turne i ndryshimit, që nis sot në Prishtinë, vazhdon nesër në Viti dhe pasnesër në Pejë, rrugëton në qytetet e Kosovës dhe në mërgatë. Kjo është thirrje e afrimit dhe përbashkimit”, tha ai.

Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme janë “udhëkryq” për shtetin e Kosovës dhe orientimin e saj, teksa serish premtoi rritjen e koeficientit të pagave në sektorin publik për 150 euro, duke thënë se projektet infrastrukturore do të përfundojnë brenda tri vjetësh në qeverinë e tij.

Abdixhiku: Bëjmë thirrje për ndryshim të madh politik në Kosovë

“Kosova qëndron në udhëkryqin më të madh politik dhe ekzistencial që nga themelimi i saj. Në këtë udhëkryq duhet të kuptohet edhe zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi bëhen për të përcaktuar fatin e Kosovës… Bëjmë thirrje për ndryshim të madh politik në Kosovë, thirrje për ndryshim për rrugën e re të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Ai prezantoi edhe kandidatët për deputetë nga Prishtina: Hykmete Bajrami, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Doarsa Kica-Xhelili, Doruntinë Maloku, Elmire Nikçi, Fadil Aliu, Florian Dushi, Donjeta Dragusha, Ismet Beqiri, Izet Sadiku, Jehona Lushaku, Jeta Rafuna, Sokol Havolli, Fiknete Bejta, Krenar Xhaferi, Sibel Halimi, Vlora Dumoshi, Arben Gashi.

Ndërsa, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, akuzoi Qeverinë e Albin Kurtit për izolim të Kosovës.

Bajrami: Kemi humbur 12 miliardë buxhet dhe aleatët e Kosovës për 4 vjet

“Kemi humbur katër vjet, 12 miliardë buxhet dhe kemi humbur të gjithë aleatët tonë. Sot jemi vend nën sanksione të BE-së për shkak të politikave të kësaj qeverie. Zgjedhjet e 9 shkurtit janë zgjedhje mes demokracisë dhe autokracisë. Janë zgjedhje ndërmjet integrimit dhe izolimit, janë zgjedhje ndërmjet zhvillimit dhe regresit”, tha ajo.

Ky tubim, sipas të parit të kësaj partie, nis në kryeqytet, për të vazhduar nëpër Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat