Abdixhiku: Zgjedhjet e 9 shkurtit përcaktojnë fatin e Republikës së Kosovës

Aktuale

Abdixhiku: Zgjedhjet e 9 shkurtit përcaktojnë fatin e Republikës së Kosovës

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 21:02
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ftuar qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen ndryshimit.

Duke folur para anëtarëve të 5 degëve të LDK-së në Prishtinë, Abdixhiku tha se i takon LDK-së ta bëjë rrugën e zhvillimit.

Abdixhiku tha se përgjatë 2 viteve të fundit, gjatë takimeve me qytetarët anembanë Kosovës, ka takuar të vërtetën e dhimbshme.

“Njerëzit e Kosovës, janë lodhur duke i pritur mundësitë e premtimet që nuk ju vijnë, janë shterur nga shpresa e udhëheqësve që propagandojnë por s’japin asnjë rezultat. Njerëzit e Kosovës janë lodhur nga ndenja e braktisjes”, tha Abdixhiku.

Kësaj lodhjeje tha Abdixhiku, LDK i përgjigjet me thirrjen për ndryshim.

“Thirrje për ndryshim të madh politik në vend! Thirrje për Rrugën e Re”, tha Abdixhiku.

“Është thirrja jonë për prindërit e rinj, për mësuesit, punëtorët, mjekët, ndërmarrësit, bujqit, pensionistët e studentët. Për secilin nga ju që ndihet sot i lodhur nga pritja, i lodhur nga premtimi se ndryshimi do të ndodhë një ditë, që është lodhur nga zymtësia, nga ndarja e propaganda! BËHUNI NDRYSHIMI! Mos pritni ndryshimi të ju vijë nga unë! Ejani me mua, ta bëjmë këtë ndryshim bashkërisht”, tha ai.

Ai tha se Kosova po qëndron në udhëkryqin më të madh politik e ekzistencial që nga themelimi i saj si shtet i pavarur dhe që sipas tij “këto zgjedhje, nuk bëhen vetëm për të përcaktuar një Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, por për të përcaktuar vet Kosovën”.

I pari i LDK-së tha se për 4 vjet, njerëzit e Kosovës kanë vëzhguar se si premtimet e mëdha kthehen në fjalë të thata dhe se si ato premtime ato humbasin peshën para humbjes së vet shpresës.

“Me peshë e me shpresë, humbet dhe ëndrra për vendet e punës, për pagat e larta, për shkollat e denja, për spitalet e shëndosha, për drejtësinë e mbarë – për vet jetën në Kosovë”, tha Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat