Deputeti i Lëvizjes Vëtëvendosje, Dimal Basha, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk ka njerëz mjaftueshëm “për të vizatuar”draft-statute.
Sipas Bashës nuk mundet që vetëm Kosova të bëjë hapa, ndërsa siç është shprehur Serbia të mos lëviz asnjëherë.
“Ne nuk kemi njerëz mjaftueshëm për të vizatuar drafte për vete. Ne kemi njerëz mjaftueshëm për t’i bërë draftet tona. Nuk mund të bëjmë vetëm ne gjëra e Serbia nuk lëviz kurrë. Asociacioni është një prej 39 marrëveshjeve e ne jemi marrë vesh dhe pika 10 thotë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, pra duhet të zbatohen të gjitha. Bile aneksi thotë se duhet të merremi vesh se si ti zbatojmë një ata, një në. Pse duhet ne të lëvizim kur Serbia thotë se nuk të njoh si Kosovë?”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka shtuar se nuk duhet dëgjuar opozita, pasi ka thënë se ndërkombëtarët nuk vijnë të na thonë merre ose lëre, se në shtëpinë tënde nuk të thonë pranoje kështu se ndryshe nuk bën.
“Nuk ka merre ose lëre, nuk flitet kështu se as ndërkombëtarët kur vijnë nuk flasin kështu. Nuk vijnë të na thonë merre ose lëre, se në shtëpinë tënde nuk të thonë pranoje kështu se ndryshe nuk bën. Nuk flet askush kështu e mos i dëgjoni opozitën se ndoshta atyre iu kanë folur ashtu për shkak se kanë qenë të shantazhueshëm”, është shprehur ai.
Në tetor 2023, BE-ja ua dorëzoi Kosovës dhe Serbisë një “draft-statut modern” për formimin e Asociacionit. Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia – e mbështetën atë.
Prej atëherë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje vazhdimisht Kosovës ta dërgojë në Gjykatën Kushtuese këtë draft-statut.
Por, kryeministri Kurti nuk ka pranuar ta bëjë këtë deri tani.