Kuvendi i Kosovës pritet që të hënën (më 11 nëntor) të shqyrtojë në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2025.
Nga Kuvendi kanë njoftuar se seanca plenare me të vetmen pikë të rendit të ditës për projektbuxhetin 2025 nis në orën 10:00.
Qeveria e Kosovës ka miratuar ditë më parë projektbuxhetin për vitin 2025, që arrin vlerën prej 3.6 miliardë eurosh.
Ekzekutivi ka njoftuar se punëtorët e sektorit publik në janarin e vitit të ardhshëm do të pranojnë paga me 55 euro rritje dhe 55 euro të tjera në korrik të vitit 2025.
Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 30 tetor, kryeministri Albin Kurti ka thënë se përveç pagave, buxheti është rritur edhe për shtesat për fëmijë, 100 milionë euro janë shtuar për të mbuluar rritjen prej 20 për qind të pensioneve.