“Turneu i Ndryshimit” të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vazhduar sot në qytetin e Vitisë, pas tubimit në Prishtinë që e kishte një natë më parë, të enjten.
I pari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku para vitiasve tha se entuziasmi i tyre, po dëshmon se ndryshimi është afër.
“Kështu, me këtë turne, jam i bindur dhe i lumtur që po i japim kuptim rrugës sonë bashkë dhe ndryshimit që po vjen! Dhe po shihet qartë edhe këtu në Viti, në shtëpinë e kahmotshme e besnike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, se ndryshimi është afër. Po e dëshmon masiviteti e entuziazmi juaj sot!”, ka deklaruar Abdixhiku.
Zgjuarësinë e treguar me zgjedhjen e Sokol Halitit për kryetar të kësaj komune, Abdixhiku tha se Vitia dhe Anamorava do ta tregojë edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Vitia që ka qenë dhe vazhdon të jetë forcë e madhe e LDK-së, ka treguar zgjuarësi gjithmonë . Dhe këtë zgjuarësi, këtë lidhje, Vitia dhe e gjithë Anamorava, do ta tregojë edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit”, shtoi Abdixhiku.