Programi i Bashkimit Evropian për bursa pasuniversitare për Kosovën "Young Cell Scheme" ka shënuar 20-vjetorin, ku u tha se gjatë këtyre vjetëve është luajtur rol i rëndësishëm në reformën e administratës publike në vend.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka thënë se programi i BE-së për bursa ka luajtur rol të rëndësishëm në avancimin e proceseve brenda administratës publike dhe zhvillimin e sektorëve e profesioneve të ndryshme, teksa ftoi të rinjtë që të shfrytëzojnë mundësinë për 40 bursa.
Bislimi: “Young Cell Scheme” katalizator i zhvillimit për institucionet tona
"Një program që është më tepër se thjesht një bursë, një program që shërben si katalizator i zhvillimit si për institucionet tona ashtu edhe individëve të përfshirë. Programi i skemës së profesionistëve të rinj përgjatë 14 raundeve të organizuara në dy dekadat e fundit ka mbështetur mbi 440 të rinj e të reja duke u mundësuar atyre të ndjekin studimet të avancuara jashtë Kosovës. Pastaj të aplikojnë njohuritë e përfituara në institucionet tona publike, duke kontribuar kështu në ndërtimin e një Kosove më të fortë, më të drejtë dhe më të aftë me standardet evropiane. Skema ka luajtur një rol me rëndësi në avancimin e proceseve kyçe brenda administratës publike. Përmes kontributit të bursistëve janë arritur përparime të dukshme për shembull në koordinimin e procesit të integrimit evropian, përfshirë hartimin dhe zbatimin e agjendës së reformave dhe procesit të stabilizim-asociimit, liberalizimin e vizave si dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi Bislimi.
Zëvendës-shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova tha se programi i bursave u ofron mundësinë të rinjve që të kontribuojnë në reforma.
Palatova: BE mbështet Kosovën me programe e asistencë të përgjithshme
“Skema “Young Cell” nuk është vetëm program i bursave, nuk u jep studentëve kosovarë mundësi për të përmirësuar kualifikimet e tyre, por ka të bëjë më tepër - iu jepet mundësia për të kontribuar në reformat kryesore, për ta çuar Kosovën drejt rrugës evropiane për t’u bërë anëtare e BE-së...Gjatë viteve të kaluara skema “Young Cell” është rritur nga një bursë në studime evropiane në një program më të specializuar që zhvillon sektorë e profesione të ndryshme dhe sektorët që i nevojiten Kosovës. Si BE jemi të gatshëm që të mbështesim Kosovën, jo vetëm përmes këtyre programeve, por edhe me asistencë të përgjithshme”, u shpreh ajo.
Edhe Kyriakos Yakinthos, zëvendës rektor në Universitetin e Aristotelit të Selanikut theksoi rëndësinë e ndarjes së bursave për studentët.
Yakinthos: Pa përkushtimin e rinisë për arsim, ky program s’do të kishte sukses
“Pa përkushtimin tuaj për arsim dhe përparim ky program nuk do të kishte arritur suksesin që shohim sot. Partneriteti që kemi ndërtuar së bashku qëndron si shtet, si një dëshmi e besimit të përbashkët në fuqinë transformuese të arsimit, besoj se na ka lejuar të hapim dyert, të thyejmë barrierat dhe të krijojmë një shans të qëndrueshëm për njerëzit tuaj këtu në Kosovë. “Young Cell Scheme” u ka dhënë mundësi qindra studentëve të zhvillohen, ishin rreth 485 siç thatë ju zëvendëskryeministër nëse nuk gaboj, jo vetëm në aspektin akademik, por edhe personal dhe për të fituar aftësitë e nevojshme për të kontribuar në komunitetet e tyre”, tha ai.
Programi "Young Cell Scheme” ofron bursa për studime në universitetet më të mira në BE. Bazuar në praktikat më të mira evropiane, pas kthimit të studentëve në Kosovë, ata kontribuojnë në reformën e administratës publike.