Aktakuza ndaj 26 policëve, Hoxha: Spektakël arrestimi, zgjatja e afatit e dëmtoi imazhin e policisë

Aktuale

Aktakuza ndaj 26 policëve, Hoxha: Spektakël arrestimi, zgjatja e afatit e dëmtoi imazhin e policisë

Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 23:42
Valdet Hoxha

Ish-zëvendësministri i Brendshëm, Valdet Hoxha, e konsideron spektakël arrestimin e policëve që është bërë para dy viteve në pikën kufitare në Vërmicë e ndërkohë e cilëson të stërzgjatur afatin për aktakuzë.

Sipas tij, stërzgjatja e afatit më shumë e ka dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës, sesa e vërteta që do të vërtetohet para drejtësisë.

“Një afat kaq i gjatë për t’u ngritur aktakuza duke pasur parasysh edhe specifikën e një organizate, e cila gëzon reputacionin më të mirë nga organizatat në Ballkan –  veprimet e fundit të Speciales në veri, pra – mbajtën këtë nam të Policisë. Pra, nuk ka nevojë, nuk po i arsyeton askush veprimet korruptive të asnjë zyrtari policor apo zyrtari të shtetit. Nuk ka nevojë me zyrtarë policorë të bëhen spektakle, duke filluar nga arrestimi i tyre përmes kamerave, përmes futjes në gjykatë, prokurori, tejzgjatjes dy vjeçare dhe tashmë temë kombëtare. Me të vërtetë, dëmi është më i madh sesa akuza me të cilën mund të qëndrojnë apo nuk qëndrojnë”, tha ai në emisionin “Ditari”.

Hoxha bëri vërejtje publike duke thënë se 26 zyrtarët policorë që dyshohen për keqpërdorim të detyrës është dashur që të ftohen për intervistim, pasi që sipas tij nuk ka mundësi që ata të largohen jashtë shtetit.

“Është dashur që në afat rekord fillimisht të ftoheshin ata zyrtarë policorë dhe kjo është një vërejtje publike që punonjësit e policisë, punonjësit e shtetit duhet të ftohen ata nuk ka mundësi që të largohen. Unë mendoj që spektakël ka qenë që nga arrestimi në pikat kufitare me kamera dhe stërzgjatja e afatit më shumë e ka dëmtuar imazhin e Policisë në tërësi sesa e mira që do të vihet para drejtësisë nëse vërtetohen aktakuzat ”, deklaroi ai.

Prokuroria Speciale sot ka ngritur aktakuzë kundër 26 zyrtarëve policorë për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat