Këshilltari i kryeministrit Kurti paralajmëron këtë gjë për bashkëpunimin me administratën Trump

Aktuale

Këshilltari i kryeministrit Kurti paralajmëron këtë gjë për bashkëpunimin me administratën Trump

Më: 9 nëntor 2024 Në ora: 11:36
Jeton Zulfaj

Qeveria e Kosovës pret thellim të partneritetit me Shtetet e Bashkuara, nën administratën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump. Në ekzekutiv thonë se SHBA-ja është partner kyç dhe strategjik i Kosovës dhe se lidhjet mes dy vendeve janë të forta.

Zyrtarë qeveritarë thonë se Kurti do të bashkëpunojë ngushtë me republikanët, pavarësisht mbështetjes që kishte treguar për demokratët.

Donald Trump fitoi në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në një garë të ngushtë me demokraten Kamala Harris.

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, thotë se s’ka asnjë dyshim se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së vetëm sa do të thellohet.

Zulfaj: Do të thellojmë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

“Lidhjet e popullit të Kosovës me Amerikën dhe popullin amerikan janë të forta. Kryeministri tashmë e ka uruar presidentin Trump për fitoren e tij duke thënë që pret që të punojnë së bashku në adresimin e sfidave dhe çështjeve që kemi në Ballkanin Perëndimor...Gjatë mandatit tonë kemi treguar përkushtim maksimal për të zgjeruar dhe për të thelluar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës - si partneri kyç dhe strategjik i Kosovës. S’kam dyshim se kjo do të ndodhë tash e tutje”, thotë ai.

Kryeministri Kurti ka mbështetur publikisht demokraten Kamala Harris për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Ai madje kishte marrë pjesë në konventën e demokratëve.

Ai thotë se pjesëmarrja ishte bërë në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje derisa shton se Kurti nuk e ka fshehur asnjëherë mbështetjen për partitë simotra kudo në Evropë dhe SHBA.

Zulfaj është më i rezervuar kur pyetet për ish-emisarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell - një emër i mundshëm edhe në administratën e re amerikane. Ky i fundit mbahet mend për raporte jo fort të mira me kryeministrin Kurti.

Këshilltari i Kurtit thotë se mbetet të shihet se kush do të jenë figurat kyçe në administratën e re të presidentit Trump.

Zulfaj: Duhet të presim se kush do të jenë figurat që marrin pozitat kyçe në administratën e re të presidentit Trump

“Kryeministri është njëherit edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe është edhe parti socialdemokrate. Në këtë cilësi kryeministri s’ka fshehur mbështetjen për partitë simotra kudo në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si kryeministër i shtetit ka punuar dhe bashkëpunuar me të gjithë partnerët dhe kështu do të bëjë sidomos me ShBA-në...Tani ende nuk kemi administratë të re, për momentin kemi administratën Biden dhe duhet të presim se kush do të jenë figurat që marrin pozitat kyçe në administratën e re të presidentit Trump”, shton Zulfaj.

Duke folur për validitetin e marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 4 shtator 2020 – nën presidencën e Trumpit, Zulfaj deklaron se tani Kosova dhe Serbia e kanë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit të arritur në vitin 2023.

Sipas tij, i tërë fokusi në dialog duhet të jetë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Këshilltari i kryeministrit Kurti shprehet i rezervuar të komentoi edhe për mundësinë që me administratën Trump 2 të rikthehet ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo temë ishte aktuale në kohë kur Trump ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Zulfaj: Kosova dhe Serbia kanë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit

“Nuk do ta komentoja marrëveshjen e arritur më 4 shtator 2020. Për këtë kemi dhënë komente mjaftueshëm gjatë mandatit. Ajo çka do të theksoja është se e kemi një marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur në shkurt të vitit të kaluar. Për këtë kemi theksuar se duhet të respektohet dhe zbatohet plotësisht...Nuk do të komentoja për çështje të ideve dhe hipotezave. Ajo çka ne kemi qenë të zëshëm dhe aktiv është marrëveshja e re të cilën e kemi arritur dhe në atë drejtim duhet të fokusohemi, që marrëveshja të zbatohet plotësisht. Por së pari duhet që të arrihet një karakter obligativ, pasi është e qartë se për Serbinë ajo nuk është plotësisht e pranueshme dhe zbatueshme në të gjitha nenet e saj”, përfundon Zulfaj.

Trump do të marrë detyrën në shkurt të vitit 2025. Kosova mban zgjedhjet e reja parlamentare po ashtu në shkurt.

Donald Trump i cili ishte president i SHBA-së gjatë periudhës 2017-2021, ishte dëshmitar i marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat