​Zhvillimet e fundit në UP, studentët paralajmërojnë bojkot dhe protesta

Aktuale

​Zhvillimet e fundit në UP, studentët paralajmërojnë bojkot dhe protesta

Më: 9 nëntor 2024 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

Largimi i afateve shtesë për provime në Universitetin e Prishtinës ka ndikuar që Parlamenti Studentor të paralajmërojë protestojë për ditën e martë para Rektoratit, pasi studentët po refuzojnë propozimin e rektorit Arben Hajrullahu që afatet shtesë të provimeve të zëvendësohen me vlerësimin e vazhdueshëm.

Përfaqësuesi nga Parlamenti i Studentëve të UP-së, Fatjon Haxhaj në një prononcim për KosovaPress ka paralajmëruar vazhdimin e bojkotimit të mësimit dhe protestave deri në plotësimin e kërkesave për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve për nëntor dhe prill.

Ai thotë se studentët nuk janë kundër vlerësimit të vazhdueshëm të tyre nga profesorët, por kërkojnë që kjo metodë fillimisht të implementohet dhe të rezultojë me sukses e më pas të zëvendësohet me afatet shtesë të provimeve.

Haxhaj: Protesta është e nevojshme për të parandaluar kaosin akademik

"Protesta është më se e nevojshme për të parandaluar këtë kaos akademik që ne presim të ndodhë. Me anë të largimit të afateve shtesë, automatikisht penalizohen kolegët tanë studentë... Diskutimi (me rektorin) ka qenë që ne kemi kërkuar që pikë e rendit të ditës, pas shterimit të diskutimeve, rektori e ka thirrur komisionin e përkohshëm ad hoc për trajtimin e dy çështjeve: vlerësimi i vazhdueshëm dhe afatet shtesë. Por, pasi është nxjerrë vendimi për diskutim të këtij komisioni, është ndryshuar pika e dytë, nga afatet shtesë në afatin e nëntorit, në një afat shtesë. Këtu ka qenë edhe pakënaqësia jonë që kemi reaguar menjëherë që ose ndryshohet pika e dytë që të diskutohet në atë komision për afate shtesë dhe jo për afatin shtesë, jo në njëjës por në shumës. Derisa të ndryshohet kjo pikë e diskutimit në komisionin e krijuar, ne e bojkotojmë mësimin dhe vazhdojmë me protestë... Ne si Parlament, si Këshille studentore jemi prononcuar se pa pasur një rezultat faktik, pa u studiuar vlerësimi i vazhdueshëm nuk do të pranojmë largimin e afateve shtesë. Pasi të kemi rezultat pozitiv të vlerësimit të vazhdueshëm, t'i largojmë afatet shtesë", thotë Haxhaj.

Haxhaj thekson se anulimi i mbajtjes së afateve shtesë për provime i dëmton studentët, duke rezultuar me humbjen e vitit akademik dhe bursave universitare.

Ai shprehet optimist se me rektorin Hajrullahu do të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme, pasi sipas tij “ngërçi” i krijuar nuk i konvenon askujt.

Haxhaj: Bojkoti i studentëve nuk i konvenon askujt

"Ne kemi filluar bojkotimin e mësimit dhe do të vazhdojmë deri në zgjidhje të qëndrueshme. Të martën është thirrur protestë dhe besoj që rektori, në bazë edhe të prononcimit të tij të fundit, ka shprehur vullnetin për diskutim madje edhe gjatë vikendit, me anë të studentëve. Pra, shpresoj që edhe rektori e gjen vullnetin të ulemi në tavolinë ta diskutojmë për një zgjidhje të qëndrueshme, t'i ketë parasysh kërkesat tona, sepse ne kemi ngritur peticionin në mënyrë virtuale, ku është nënshkruar nga mbi 5 mijë studentë brenda 24 orëve...Ky bojkot, ky ngërç, nuk i konvenon as studentëve dhe as rektorit", shprehet Haxhaj.

Ndërkaq, deklarimet e rektorit Arben Hajrullahu se “disa studentë janë të financuar për të instrumentalizuar dhe krijuar mjegull sikur menaxhmenti i UP-së është kundër studentëve”, Haxhaj i quan të pabaza.

Haxhaj: Akuzat e rektorit Hajrullahu janë të pabaza

"Publikisht dhe më përgjegjësi të plotë e konsiderojmë këtë akuzë të pabazë dhe thjesht le të plotësohet kërkesa e afateve shtesë. Edhe ne i kthehemi mësimit, edhe rektori i kthehet punës. Nuk ka asnjë tendencë kjo protestë dhe ky bojkot. Nuk ka asnjë prapavijë çfarëdo qoftë ajo", thekson Haxhaj.

Më 6 nëntor Parlamenti Studentor i UP-së u bëri thirrje studentëve të UP-së që ta bojkotojnë mësimin, pas pakënaqësive me vendimin e rektorit Hajrullahu për emërimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës që kanë parashtruar për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve, për të cilin thanë se e kanë pranuar po atë ditë.

Statuti i ri i UP-së "Hasan Prishtina", për dallim nga vitet e kaluara, nuk përmend mundësinë e mbajtjes së afateve shtesë për provime.

Dje, rektori Hajrullahu u bëri thirrje studentëve që “të mos bien pre e dezinformatave dhe lajmeve të rreme”, por të shkojnë në Rektorat të diskutohet për zgjidhje. Ndër të tjera, ai potencoi se kanë një sistem elektronik për të përcjellë të arriturat e studentëve, por atë që e ka gjetur, është se ky sistem nuk është përdorur nga “grupi i profesorëve dembelëve”, gjë që theksoi se nuk do ta lejojë këtë situatë me të cilët i kanë futur studentët në “gërshërë”.

Përndryshe, procesin mësimor në Universitetin e Prishtinës e ndjekin janë rreth 27 mijë studentë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat