Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë.
Viktima e këtij incidenti është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor, dhe sipas drejtorit të Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, gjendja e tij është stabile.
“Është në gjendje stabile. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe jemi në pritje të rezultateve,” deklaroi Syla për mediat.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Ajo ka njoftuar se policia ka marrë informatën për plagosjen rreth orës 13:00 dhe ka shkuar menjëherë në vendngjarje, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
“Sot rreth orës 13:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ‘Fehmi Lladrovci’ në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, ku dyshohet se një person është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, u shpreh Ahmeti.
Ndërkaq, raportohet se personi që mbeti i plagosur është zyrtar policor.
Ahmeti nuk dha detaje lidhur me personin në fjalë, duke shtuar se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.