Kuvendi miraton në lexim të parë buxhetin për vitin 2025

Aktuale

Kuvendi miraton në lexim të parë buxhetin për vitin 2025

Më: 11 nëntor 2024 Në ora: 06:53 Përditësuar në ora: 21:07 më 11.11.2024
Kuvendi i Kosovës

​Gashi ia thotë Kurtit: Pse kjo urgjencë për buxhetin - mos u çaravesh se je kryeministër

Pas votimit në parim të buxhetit 2025 dhe kërkesës së Vetëvendosjes që të shmangen afatet e rregulloreve të Kuvendit për shqyrtim të projektligjit për ndarjet buxhetore në lexim të dytë, shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi iu drejtua kryeministrit të vendit, Albin Kurti, iu drejtua me këto fjalë: “çka është urgjente, dil trego mos u çaravesh aty prej vendit se je kryeministër”. Për këtë ka reaguar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili kërkoi nga Gashi të jetë i kujdesshëm me fjalorin.

Gashi: Dil trego mos u çaravesh aty prej vendit, se je kryeministër i vendit

“Nuk po e kuptoj pse kjo është urgjencë, brenda dy ditëve, po kërkohet që të dërgohen amendamentet, propozimet nga deputetët dhe brenda 10 ditëve të mbyllet i tërë procesi i miratimit në lexim të dytë projektligjit për ndarje buxhetore kur kohë ka deri me 22 dhjetor. Çka është urgjenca? Kryeministër mos u qesh trego cila është urgjenca se ti i ke thënë këtyre me bë urgjencë. Dil trego cila është urgjenca se buxheti vlen nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Dil trego mos u çaravesh aty prej vendit, se je kryeministër i vendit.

Glauk Konjufca: Kujdes me fjalorin.

Gashi: Janë fjalë që i ka thënë ky vetë (Albin Kurti) kur ka qenë në opozitë. Veç po ia përsëriti fjalët”.

Ndërkaq, deputeti i pushtetit Armend Muja ka propozuar që të shmangen afatet e rregulloreve të Kuvendit për shqyrtim të projektligjit për ndarjet buxhetore. Ai ka propozuar që shqyrtimi i dytë të bëhet në seancën e Kuvendit më 21 nëntor. Ndaj kësaj kanë reaguar opozita.

Me 60 vota për dhe një abstenim u votua mocioni i propozuar nga Armend Muja.

Para votimit të buxhetit në lexim, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka kritikuar Qeverinë aktuale të Kosovës për rritjen e pagave, duke thënë se ‘pagat më së shumti janë rritur për zyrtarët qeveritarë’.

Deliu-Kodra: Mospërfillja është ajo e cila i ka goditur këtë qeveri

“Kur këto sfida janë të mëdha, kur sot kemi braktisje të vendeve të punës nga institucionet të rëndësishme, kur sot inflacioni është i rritur, qytetarët përballen me shtrenjtim të energjisë elektrike në 200 për qind, tatimi në pronë është i rritur në atë masë sa bëhet i papërballueshëm natyrisht që arroganca e këtij pushteti flet për buxhet të ëndrrave, historik sepse mospërfillja është ajo e cila i ka goditur këtë qeveri që po godet çdo ditë në jetën e secilit qytetarë të Kosovës”, ka thënë ajo.

Me 59 vota pro dhe dy abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën ndarjet buxhetore të buxhetit për vitin 2025 në vlerë 3.6 miliardë euro. 

Kuvendi miraton në lexim të parë buxhetin për vitin 2025

Me 59 pro, 0 kundër dhe 2 abstenim është votuar projektligjin për ndarje buxhetore për vitin 2025.

Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti derisa ka bërë thirrje për deputetët të votojnë pro projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin për vitin 2025, ka thënë se me këtë buxhet familja shihet si tërësi dhe njësi, ndërsa përfitime do të kenë edhe bizneset dhe ekonomia. 

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare që po mbahet me vetëm një pikë në rend dite, Kurti ka thënë se me këtë buxhet prioritet është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. 

“Me këtë buxhet, të nderuar deputetë, përfitojnë edhe bizneset edhe ekonomia. Së pari përfitojnë nga rritja e fuqisë blerëse të familjes. Nga 12 miliardë euro sa ishte para qeverisë tonë për vitin 2024 pritet të kalojë 24 miliardë qarkullim. Ky buxhet parasheh mbështetje të buxheteve edhe për qasje në financa. Kjo mbështetje vjen si vijim i mbështetjes së realizuar gjatë viteve që lamë pas. Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme afatmesme pritet të vijë nga konsumi. Konsumi do të rritet nga rritja e pensioneve, rritja e shtesave të fëmijëve jo çfarëdo rritje, rritja e koeficientit për të gjithë të punësuarit, si dhe rritja e pagës minimale që ndodh pas më shumë se një dekadë stagnimi. Me këtë buxhet e kemi prioritet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ju ftoj edhe ta votoni buxhetin 2025”, ka thënë ai. 

Ai tutje ka lavdëruar punën përgjatë qeverisjes së tij 4-vjeçare, duke thënë se ka pasur rritje në mënyrë konsistente në numrin e të punësuarve. 

“Për katër vjet numri i të punësuarve është rritur në mënyrë konsistente, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë qeveri më herët. 78 mijë vende pune po arrin më shumë se sa kur e kemi marrë mandatin në pranverën e 2021-s. Në qeverisjet e kaluara, qoftë edhe kriza më e vogël e jashtme e ngadalësonte rritjen ekonomike. Të hyrat buxhetore kanë vazhduar performancën e tyre tejet të kënaqshme, kanë shënuar rritje të konsiderueshme”, ka thënë ai. 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se prioritete të rëndësishme pritet të jën autostradat Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan dhe Prizren-Tetovë.

Gashi: Çka u diskutua ishte fund e krye retrospektivë – e përbashkëta e tyre, dështimi i Qeverisë Kurti

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se gjithçka që është diskutuar sot në Kuvendin e Kosovës ishe fund e krye retrospektivë.

Madje, ai shton se deputetë të pushtetit e ministra u morën me çka ka ndodhur për katër vjet, e e përbashkëta e tyre ishte dështimi i Qeverisë Kurti.

“Krejt çka u diskutua sot këtu, ishte fund e krye retrospektivë. Çka ke interesant, është se opozita me bindje se është buxhet i përkohshëm, sepse do t’i duhet një qeveri tjetër ta aprovojë një buxhet tjetër për të qeverisur vendin, por të bindur ishin edhe deputetët e pushtetit dhe ministrat të cilët u morën me retrospektivë. Të gjithë u morën me çka ka ndodh këto katër vjet, e askush nuk e kishte bindjen në vetëdijen dhe nëndijen e tyre se do të ketë një qeverisje të ardhme nga Lëvizja Vetëvendosje. Dhe të gjithë në diskutimet e tyre folën se çka ka ndodhur në këto katër vjet, dhe  përbashkëta e asaj që ka ndodhur këto katër vjet është dështimi. Dështimi në ekonomi, dështimi në reforma, dështimi në sundim të ligjit, dështimi në politikën e jashtme, dështimi në politikën e brendshme, dështimi në mirëqenie sociale, dhe gjitha këto të përbashkëta ishin ajo që e konsiderojnë këtë qeveri”, tha Gashi.

“Mentaliteti i shkeljes së ligjeve dhe Kushtetutës vazhdon të jetë dominues në këtë qeverisje, dhe paaftësia për ta mos kuptuar për pesë vjet si funksion sistemi, është e tmerrshme”, shtoi tutje deputeti.

Maqedonci: Sot 1 mijë ushtarë për herë të parë kanë ngrënë biftek të klasit të parë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka mohuar sërish lajmet që kanë qarkulluar rreth ushqimit të ushtarëve të FSK-së.

Në seancën e sotme e cila po vazhdon ende, ai tha se ushtarët po vazhdojnë të ushqehen me tri shujta, madje bëri të ditur se 1 mijë prej tyre në Babaj të Bokës, kanë ngrënë për herë të parë biftek të klasit të parë.

“Unë me të vërtetë vlerësoj që fatmirësisht ju jeni të ushqyer me lajme të rreme, mirëpo ushtarët po vazhdojnë të ushqehen me ushqim në tri shujta, dhe sot pikërisht 1 mijë ushtarakë që i kemi në Babaj të Bokës për herë të parë kanë ngrënë biftek të klasit të parë i cili është seruar pikërisht nga stafi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”, tha Maqedonci.

Gërvalla i drejtohet PDK-së: Mos bërtisni, qetësohuni – pini pak ujë se nuk po vuajmë nga veshi

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, kërkoi nga deputetet e PDK-së të mos bërtasin, pasi siç u shpreh ajo, “nuk vuan nga veshi”.

“Qetësohuni pak se nuk është mirë për shëndetin, pini pak ujë, mos bërtit se nuk vuajmë nga veshi”, u shpreh Gërvalla.

“Unë ju kuptoj juve shumë mirë, ju njoh shumë mirë. Ju njoh jo veç në kuvend por ju njoh edhe si pjesë e atyre qindra mijëra shqiptarëve jashtë vendit, që ju jeni çu e keni ardh nëpër Ambasada e që i keni mbush me jarana, motra e vëllezër, keni ardh keni qëndruar veç me njerëzit që i keni bërë bizneset, keni paguar nga 500 mijë euro për libra e sene edhe nuk e keni marr guximin kurrë me ardh me u taku me neve që kemi qenë pjesë komunitetit atje”, tha Gërvalla.

Ministrja më tutje tha se në takimet me mërgatën nuk ka asnjë fjalë që lidhet me fushatën, pasi siç tha ajo, fushata nis në janar dhe atëherë do të kenë fjalë të tjera

Gërvalla prezanton buxhetin e MPJD-së për vitin 2025

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diaposrës, Donika Gërvalla ka prezantuar projekt-buxhetin e kësaj ministrie për vitin 2025.

Sipas saj, që nga fillimi i mandatit buxheti i MPJD-së është rritur nga 29 milionë në 49.4 milionë euro.

Prezantimi i ministres Gërvalla për projekt-buxhetin në Kuvendin e Kosovës:

Sot Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës paraqet një projekt buxhetor ambicioz për vitin 2025.

Krahasuar me fillimin e mandatit tonë, ky buxhet shënon rritje nga 29 milionë në 49.4 milionë euro për vitin 2025. Kjo rritje e buxhetit mundëson financimin e qëndrueshëm të aktiviteteve të misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, duke siguruar kështu përmbushjen e misionit të politikës së jashtme, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, dhe një përfaqësim më të dinjitetshëm në organizata ndërkombëtare.

Projekt-buxheti për vitin 2025 siguron rritjen e kapaciteteve njerëzore të shërbimit të jashtëm, për të arritur përfaqësim dinjitoz të Kosovës, dhe shërbime më cilësore ndaj qytetarëve tanë jashtë vendit.

Siguron rritjen e aktiviteteve të misioneve diplomatike dhe konsullore, të cilat kanë për qëllim arritjen e objektivave shtetërore në politikën e jashtme.

Mundëson edhe shtrirje më dinamike të aktiviteteve të shteteve jonjohëse, dhe me shtetet që e kanë njohur Kosovën.

Ky projekt-buxhet fuqizon marrëdhëniet ekonomike me vendet e tjera, duke përshirë edhe ato mosnjohëse, me qëllim të zhvillimit më të qëndrueshëm ekonomik, por edhe konsolidimin të marrëdhënieve diplomatike përmes bashkëpunimit ekonomik.

Vazhdimin e blerjeve të objekteve të ambasadave, si prona të Republikës së Kosovës, duke dëshmuar kështu edhe seriozitet në marrëdhëniet tona të përhershme me qendrat kryesore diplomatike, por edhe duke racionalizuar shpenzimet e qerasë.

Sigurojmë një rritje të theksuar të subvencioneve për projekte me shoqërinë civile, duke mos përjashtuar këtu edhe projektet e ndryshme që lidhin mërgatën me Kosovën, dhe fuqizojnë diplomacinë.

Bogujevci ia tërheq vërejtjen Musliut për gjuhën e përdorur ndaj Kurtit

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci është detyruar t’ia tërheq vërejtjen deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut, për gjuhën e përdorur ndaj kryeministrit Albin Kurti në seancën e sotme.

Kjo pasi deputetja Musliu e ka quajtur Kurtin, “rrenc destruktiv, antishtetëror dhe antikombëtar, e  poashtu edhe pa nder e turp të këtij vendi”.

“Kujdes fjalorin”, dëgjohet Bogujevci duke thënë teksa fliste Musliu.

Musliu – Kurtit: Do të mbetesh në histori si rrenc, ti veç nder s’ke – je turpi i këtij vendi

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, “rrenc”.

Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme, ajo u shpreh se një kryeministër qe ka nder e arsye të shëndoshë, e dorëzon karrigen e jo shtetin.

“Ti Albin the “e kam nderin që po e çoj mandatin deri në fund”. Jo Albin, ti nuk ke nder, ti nuk e din çka është nderi, ti ke turp, turpin që e ke mbajtë këtë shtet peng me zero zhvillim, me dialog në favor të Serbisë, me sanksione nga BE-ja, me ministra antikushtetues. Një kryeministër që ka nder e arsye të shëndoshë e dorëzon karrigen nuk e dorëzon shtetin si ti Albin. Pesë vjet në pushtet do të mbahen në mend si pesë vitet më të errëta të ngritjes së Kosovës shtet. Do të mbetesh në histori si një rrenc destruktiv antishtetëror, antikombëtar. Ti je turpi i këtij vendi”, tha Musliu.

Mustafa-Rizvanollit për kapacitetet e reja të energjisë elektrike: Je ekonomiste, mos fol paushall

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, për ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se po flet paushall, sa i përket kapaciteteve të reja të energjisë elektrike.

Lidhur me këtë çështje, Mustafa pyet Rizvanollin se ku janë këto kapacitete, që sipas tij nuk po shihen kërkund.

“Ministre, je ekonomiste bre, nuk ke nevojë me fol paushall. Ku janë kapacitetet e reja të energjisë elektrike që i ke ndërtuar për katër vjet? Ku janë? Përveç kontratave, vizioneve, projekteve, programeve, ideve e të tjera. A mundesh të na tregosh sa me kapacitete të reja të energjisë elektrike prodhohen në këto katër vjet, dhe ku janë ato që nuk po i sheh kërkush. Lej letrat, në terren ku janë, se se ke asnjë ministre, asnjë”, tha Mustafa në Kuvend.

​Rizvanolli: Sa i përket energjisë elektrike janë thënë shumë të pavërteta

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i ka quajtur të pavërteta deklaratat e opozitës sa i përket çmimeve me energji elektrike e po ashtu edhe subvencioneve.

Ajo derisa ka përmendur masat që kanë ndërmarrë për t’i ndihmuar qytetarët ka thënë se me një fond prej 11 milionë euro, 3 mijë e 121 familje kanë investuar në investim të shtëpive për herë të parë në Kosovë.

Rizvanolli: Sa i përket energjisë, janë thënë shumë të pavërteta

“Një nder temat që është përmendur shumë sot është rritja e subvencioneve dhe rritja e subvencioneve për entitetet publike. Dua t’i cek disa prej rezultateve shumë të prekshme për qytetarët që kanë ardhur si rezultat i rritjes së këtyre subvencioneve. Me një fond prej 11 milionë euro, 3 mijë e 121 familje kanë investuar në investim të shtëpive për herë të parë në Kosovë. 15 milionë të tjera janë ndarë për 28 ndërtesa shumë banesore për investime që nga izolimi, dyer, dritare, kulmi, e të tjera...Sa i përket energjisë elektrike dhe subvencionimit të energjisë elektrike, u thanë aq shumë të pavërteta sa nuk po di as nga të ja filloj, si dhe për çmimin e energjisë elektrike. Sa i përket atij gjysmëmiliardëshit të subvencionimit të energjisë elektrike i keni përzier”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli iu është kundërpërgjigjur deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami e cila e quajti pushtetin si “mafia energjetike” e cila sipas saj ka mbrojtur ambasadorin Martin Berishaj dhe ish kryeshefin e KEK-ut Nagip Krasniqi.

Bajrami poashtu ka përmendur edhe energjinë elektrike në veri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat