Ky dimër do të jetë më i ftohti, nga IHMK japin paralajmërimin

Aktuale

Ky dimër do të jetë më i ftohti, nga IHMK japin paralajmërimin

Më: 11 nëntor 2024 Në ora: 11:42
Foto ilustrim

Gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm në disa fshatra të Prishtinës dhe Podujevës ka pasur reshje të borës.

Por, si parashikohen të jenë temperaturat në Kosovë në ditët në vazhdim si dhe stina e dimrit?

Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) në një prononcim për telegrafin ka thënë se stina e dimrit do të jetë me temperaturat më ulëta si dhe do të ketë reshje më të dendurë të borës në krahasim me dimrat e kaluar.

Kjo, pasi sipas tij vera e këtij viti ka qenë më e nxehtë dhe më e gjatë në vite, me temperatura deri në 38 gradë Celsius që kanë vazhduar nga qershori deri në tetor.

“Ky dimër nuk do të jetë sikurse dimri tjetër, pasi gjatë gjithë verës kemi pasur një verë shumë të nxehtë deri në 38 gradë Celsius. Por e veçanta është që kemi pasur një periudhë të gjatë të verës, që nga qershori deri në muajin tetor kemi pasur temperatura bukur të larta.

E, kjo energji sipas statistikave, sipas përvojës që kam në fushën e meteorologjisë kujtojë që do të jetë ‘negative’ gjatë dimrit. Apo që të jem më i qartë ky dimër do të jetë më i ftohtë se dimrat që kemi lënë pas. Do të ketë temperatura dhe më të ulëta, por do të ketë reshje të borës edhe më të dendurë se në dimrat që i kemi kaluar”, ka thënë Aliu.

Aliu po ashtu tha se gjatë këtij muaji do të ketë reshje shiu në viset e ulëta, ndërsa në ato të larta do të ketë reshje bore.

“Ditët e fundit kemi pasur temperatura të ulëta, deri në minus 2 a 3 gradë Celsius. Por që në viset e larta këto temperatura janë dhe më të ulëta. Këto ditë patëm vranësira të dendura në disa pjesë të Kosovës, konkretisht në pjesën e Podujevës ku kemi pasur dhe shtresa të borës që janë normale për ditët që jemi.

Në viset e larta gjithmonë kemi temperatura më të ulëta, kurse në viset e ulëta nuk parashihet të kemi reshje të borës vetëm riga të dobëta të shiut. Derisa në viset e ulëta kemi riga shiu, këto në viset e larta shndërrohen në fjolla bore”, ka thënë Aliu.

Ndërsa, për ditët e ardhshme, Aliu parashikon reshje të lehta shiu në viset e ulëta dhe reshje të dobëta bore në viset e larta, veçanërisht gjatë ditës së mërkurë ose të enjten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat