Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se diçka që është shkatërruar për 20 vite, nuk mund të rikuperohet brenda një mandati. Kjo duke i reaguar deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushatku, i cili foli për qeverisjen Kurti. Murati ka shtuar se në qeverisjen Kurti për katër vite me radhë ka rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore.
Murati para deputetëve ka thënë se sa i përket eksportit është dyfishuar.
Murati: Diçka që është shkatërruar për 20 vite nuk mund të rikuperohet brenda një mandati
“Në lidhje me premtimet që Qeveria Kurti ka pas, që do të ulet importi, rritet eksporti, kurse taksat do të fillojnë e mblidhen brenda më shumë që të mos varemi aq shumë nga dogana dhe tha (deputeti Lushtaku) që asnjëra nga këto nuk është bërë. Pra, a është synim i qeverisë që të ulet importi, patjetër që po, për këtë kemi bërë mbështetjen për herë të parë të prodhuesve vendor duke subvencionuar kreditë investuese, gjithashtu kemi marrë edhe shumë masa tjera mbështetëse përmes ministrive të linjës duke i mbështetur. Por, gjithsesi i nderuari deputet Lushtaku, nuk mund të ulet importi në një ekonomi të cilën e kemi trashëguar, ku gjitha fabrikat që kanë qenë prodhuese në këtë vend, ju i keni shit për skrap. Normalisht që merr kohë derisa të rindërtohet kapaciteti prodhues në mënyrë që të ulet importi, deri atëherë ne do të vazhdojmë të punojmë, mirëpo diçka që është shkatërruar për 20 vite nuk mund të rikuperohet brenda një mandati. Sa i përket eksportit, kur e kemi marrë qeverisjen, eksporti ka qenë 474 milionë euro, sivjet pritet të shkojë në 950 milionë euro, pra, kemi dyfishim të eksportit...Në qeverisjen tonë për katër vite me radhë ka rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore”, tha Murati.
Ai ka shtuar se ndikimi i masave që ka ndërmarrë kjo qeveri ka qenë i dukshëm.
Murati: Vetëm një ish-kryeministër që nuk ka bërë asgjë mund të thotë se ndikimi është zero i shtesave për fëmijët
“Vetëm një ish-kryeministër që nuk ka bërë asgjë mund të thotë se ndikimi është zero i shtesave për fëmijët...Nuk ndaj mendimin me ju që ndikimi i këtyre masave është zero. Pyetni ato gra që çdo muaj marrin shtesat e fëmijëve dhe e ndiejnë dorën e shtetit për ndikimin...A e shikojmë sa investime kapitale keni bo ju nëse e përjashtoni autostradën... asnjë vit për mbi 200 milionë euro s’ka kaluar”, tha Murati.