Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka mirëpritur në takim një delegacion të Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), të kryesuar nga senatorja belge Anne Lambelin.
Në komunikatë thuhet se, gjatë takimit janë konfirmuar vlerat e përbashkëta që Kosova dhe Asambleja Parlamentare e Frankofonisë ndajnë, siç janë diversiteti kulturor dhe gjuhësor, të drejtat e njeriut e solidariteti.
“Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin dhe nënvizoi fushën e filmit si fushë me potencial të bashkëpunimit, dhe mësimin e gjuhës frënge si instrument për të njohur dhe përafruar edhe më shumë popujt e dy vendeve, si dhe për të rritur mobilitetin studentëve dhe profesionistëve në shërbim të shkëmbimeve kulturore, rritjes së kompetencave dhe zhvillimit socio-ekonomik. Ai shprehu vullnetin që institucionet publike arsimore të rrisin kapacitetet e mësimit të gjuhës frënge”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa, anëtarët e delegacionit e kanë falënderuar Kurtin për mikpritjen dhe takimin, si dhe kanë shprehur kënaqësinë që për herën e parë APF-ja zhvillon një vizitë të tillë disa ditësh në Kosovë.
“Nga viti 2022, Kuvendi i Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë (APF), dhe ka synim që të avancojë në të ardhmen drejt anëtarësimit të plotë”, bëhet e ditur në komunikatë.