Kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi se përgatitjet për padinë për gjenocid janë të thella dhe komplekse, për çka theksoi se nuk mund të jap detaje. Ai tha se Serbia nuk pranon krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për këtë ai u deklarua pas pranimit të raportit njëvjeçar të punës nga drejtori i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.
Pas vizitës dhe takimit Kurti tha se janë mbi 60 burime prej nga është grumbulluar informacioni.
Kurti: Një seri e gjatë prej 189 metra material deri tani në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës
"Me këtë rast pash se si po ruhen materialet, planet për digjitalizimin e këtyre materialeve dhe dokumenteve. Ku gjithsej nëse do i rendisim si folldera në këmbë do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo e thënë ndryshe 15.8 terrabajt informacion është grumbulluar gjatë këtyre nëntë muajve ku bëjnë pjesë video-xhirime, audio-xhirime, fotografi e gjithashtu tekste të ndryshme në një gjatësi prej 189 metra të këtyre folderëve po të renditeshin në këmbë e të cilët mbahen të sigurt këtu. Janë 67 burime gjithsej prej nga është grumbulluar materiali dhe dokumentacioni. Këtu bëjnë pjesë ministritë, bëjnë pjesë komunat, organizatat jo-qeveritare, aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarë por edhe koleksionistë të ndryshëm të cilët kanë dorëzuar materialet e tyre në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Është punë jetike dhe vendimtare si për historinë tonë ashtu edhe për drejtësinë për neve", tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit para gazetarëve theksoi se instituti paraqet adresë të rëndësishme për drejtësinë vendore.
Ai nuk dha detaje sa i përket padisë për gjenocid, veçse tha se këto përgatitje janë komplekse dhe se po zhvillohen jashtë syve të opinionit publik.
Kurti: Nuk mund të flas për përgatitjet për padi për gjenocid
“Ne po e vazhdojmë punën tonë, përgatitjet tona që janë të thella, komplekse dhe për të cilat në kuptimin konkret të përmbajtjes së tyre nuk mund të flas. Meqenëse këto përgatitje zhvillohen në konfidencialitet sepse kemi të bëjmë natyrisht me një shtet agresor i cili është armiqësor ndaj nesh dhe nuk i pranon krimet e kryera në Kosovë, përkundrazi i quan ato fabrikime. Duke pasur parasysh kontekstin rajonal, fqinjin tonë armiqësor këto përgatitje jemi të detyruar që t’i zhvillojmë jashtë syve të opinionit publik”, u shpreh Kurti.
Ndërkaq, sipas Atdhe Hetemit, gjatë këtyre muajve është shënuar progres në grumbullimin e materialeve që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Hetemi: Ne kemi shënuar një progres modest në mbledhjen e materialeve
“Tashmë Kosova e ka një institut i cili do të shërbejë si pikë grumbullimi i të gjitha materialeve që dokumenton krimet e kryera në Kosovë, gjë që ka munguar. Ne kemi shënuar një progres modest do të thosha, kjo ka ardhur si rezultat i angazhimit tonë edhe si rezultat i mbështetjes së vazhdueshme që e kemi pasur nga qeveria, ministritë e linjës, komunat e Republikës së Kosovës, organizatat jo-qeveritare, gazetarët dhe mediat dhe të gjithë të tjerët”, tha Hetemi.
Kryeministri Albin Kurti vizitoi Institutin për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.
---
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se projektbuxheti për vitin 2025 është zhvillimor dhe i mirëqenies, duke bërë thirrje që opozita ta votojë atë dhe të mos e kundërshtojë vetëm për shkak të pozitës së saj politike në Kuvend
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se opozita po mendon që vetëm pse është opozitë, të mos e votojë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2025.
“Ne jemi optimist gjithmonë dhe besojmë që do t’i kalojmë të dy leximet për projektbuxhetin e vitit 2025, është një buxhet zhvillimor dhe i mirëqenies, dhe unë mendoj që është gabim nëse opozita vetëm për shkak se është opozitë konsideron që duhet të mos e votojë projektligjin për buxhetin 2025. Me këtë rast po zhvillohet debati në Kuvend, dhe besoj që nëse jo në orët e pasdites së vonë atëherë më së largu në orët e mbrëmjes do ta marrim vesh se kush prej deputetëve do të qëndrojë e si do të votohet”, ka deklaruar Kurti para mediave të hënën.
Mes tjerash, Kurti ka thënë se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë edhe me presidentin e zgjedhur, Donald Trump.
Ai ka shtuar se Kosova bashkëpunon me ShBA-të në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me përkushtim e seriozitet.
Siç ka potencuar Kurti, Qeveria dëshiron që të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-të, sidomos në aspektin diplomatik, si dhe atë të mbrojtjes, ekonomisë dhe sigurisë.
“Ne punojmë me administratën e SHBA-ve, pavarësisht se cila parti është. Këtë e kemi traditë që na kanë sjellë SHBA-të”, ka thënë Kurti duke përmendur delegacionet amerikane që kanë ardhur në Kosovë gjatë periudhës së viteve 80-ta dhe ato 90-ta me përbërje nga demokrat dhe republikanë.
“Çlirimi na erdhi me presidentin demokrat, kurse pavarësinë kur në administratë ishte president një republikan. Kjo flet shumë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar se Kosova do të bashkëpunojë me çdo administratë amerikane.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë edhe me presidentin e zgjedhur, Donald Trump.
“Ne bashkëpunojmë më ShBA në mënyrë të pazëvendësueshëm dhe me gjithë përkushtimin de seriozitet tonë, presidenti i ardhshëm në një letër urimi që pati dërguar një pararendësi, para nesh, pat vendosur në thelb njohje reciproke si diçka qendrore midis raporteve Kosovë dhe Serbi, dhe jemi më të interesuar këtë bashkëpunim dhe ta zgjerojmë”, tha Kurti.