Pas votimit në parim të buxhetit 2025 dhe kërkesës së Vetëvendosjes që të shmangen afatet e rregulloreve të Kuvendit për shqyrtim të projektligjit për ndarjet buxhetore në lexim të dytë, shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi iu drejtua kryeministrit të vendit, Albin Kurti, iu drejtua me këto fjalë: “çka është urgjente, dil trego mos u çaravesh aty prej vendit se je kryeministër”. Për këtë ka reaguar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili kërkoi nga Gashi të jetë i kujdesshëm me fjalorin.
Gashi: Dil trego mos u çaravesh aty prej vendit, se je kryeministër i vendit
“Nuk po e kuptoj pse kjo është urgjencë, brenda dy ditëve, po kërkohet që të dërgohen amendamentet, propozimet nga deputetët dhe brenda 10 ditëve të mbyllet i tërë procesi i miratimit në lexim të dytë projektligjit për ndarje buxhetore kur kohë ka deri me 22 dhjetor. Çka është urgjenca? Kryeministër mos u qesh trego cila është urgjenca se ti i ke thënë këtyre me bë urgjencë. Dil trego cila është urgjenca se buxheti vlen nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Dil trego mos u çaravesh aty prej vendit, se je kryeministër i vendit.
Glauk Konjufca: Kujdes me fjalorin.
Gashi: Janë fjalë që i ka thënë ky vetë (Albin Kurti) kur ka qenë në opozitë. Veç po ia përsëriti fjalët”.
Ndërkaq, deputeti i pushtetit Armend Muja ka propozuar që të shmangen afatet e rregulloreve të Kuvendit për shqyrtim të projektligjit për ndarjet buxhetore. Ai ka propozuar që shqyrtimi i dytë të bëhet në seancën e Kuvendit më 21 nëntor. Ndaj kësaj kanë reaguar opozita.
Me 60 vota për dhe një abstenim u votua mocioni i propozuar nga Armend Muja.
Para votimit të buxhetit në lexim, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka kritikuar Qeverinë aktuale të Kosovës për rritjen e pagave, duke thënë se ‘pagat më së shumti janë rritur për zyrtarët qeveritarë’.
Deliu-Kodra: Mospërfillja është ajo e cila i ka goditur këtë qeveri
“Kur këto sfida janë të mëdha, kur sot kemi braktisje të vendeve të punës nga institucionet të rëndësishme, kur sot inflacioni është i rritur, qytetarët përballen me shtrenjtim të energjisë elektrike në 200 për qind, tatimi në pronë është i rritur në atë masë sa bëhet i papërballueshëm natyrisht që arroganca e këtij pushteti flet për buxhet të ëndrrave, historik sepse mospërfillja është ajo e cila i ka goditur këtë qeveri që po godet çdo ditë në jetën e secilit qytetarë të Kosovës”, ka thënë ajo.
Me 59 vota pro dhe dy abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën ndarjet buxhetore të buxhetit për vitin 2025 në vlerë 3.6 miliardë euro.