Reduktimi i numrit të dëshmitarëve nga ana e prokurorisë në rastin e katërshes së UÇK-së, vlerësohet se sado pak do të ndikojë në përshpejtimin e çështjes. Por, parashihet që procesi do të ndikohet edhe nga koha që do të marrin ekipet mbrojtëse në fjalët e tyre.
Në çështjen gjyqësore kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, u redaktua numri i dëshmitarëve nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Vet kjo Zyre ka njoftuar që nuk do të mbështetet në 12 dëshmitarë, kurse dëshmitë e tetë të tjerëve do të merren me shkrim.
Me këto ndryshime, ZPS-së i mbeten gjithsej 43 dëshmitarë për t’i ftuar në sallën e gjyqit.
Zhvillime të tilla, vlerësohet se do të ndikojnë sadopak në përshpejtim të çështjes së Thaçit dhe të tjerëve.
“Ky reduktim i dëshmitarëve nga prokuroria mendoj që pak do të përshpejtojë, por pas provave të prokurorisë gjithmonë sipas Kodit të Procedurës Penale, vijnë në shprehje provat e ofruara nga mbrojtja dhe të pandehurit, ashtu që konsideroj se prapë do të jetë një gjykim i zgjatur”, ka thënë avokatja, Fehmije Gashi-Bytyqi.
Megjithatë, në terma të përgjithshëm, kohë konsiderohet se do të marrin edhe ekipet mbrojtëse e fjalën e tyre
“Reduktimi i dëshmitarëve nuk nënkupton që ky proces ose epilogu i këtij procesi do të përfundojë më shpejtë. Megjithatë, e përshpejton procesin për faktin se administrimi i këtyre dëshmitarëve nuk është më i nevojshëm. Gjithashtu duhet të theksoj se përpos dëshmitarëve të prokurorisë të cilët me aq sa di kanë mbetur edhe 43 të tjerë, ka edhe prova të tjera të cilat duhet të administrohen e gjithashtu duhet të dëgjohen edhe dëshmitarët e mbrojtjes. Gjithë kjo faktikisht e zgjat procesin dhe nënkupton se nuk mund të presim për një epilog të përshpejtuar”, ka deklaruar avokati, Kadri Osaj.
Në fillim të vitit të ardhshëm, parashihet që Prokuroria të përfundojë me paraqitjen e saj, për të vazhduar më pas ekipet mbrojtëse.