I pyetur se pse u bind që të kandidojë për kryeministër, Bedri Hamza nga PDK tha se “Kosova meriton më mirë, më pak llafe e më shumë punë”.
Gjatë një tubimi në diasporë, Hamza theksoi nevojën për ndryshime të ndjeshme në qeverisje, duke theksuar se Kosova ka pësuar një stagnim vitet e fundit dhe se ka mundësi për përmirësim.
“Mendoj që Kosova, pavarësisht progresit, viteve të fundit ka pasur një stagnim. Jam i sigurt që Kosova mundet më mirë,” deklaroi Hamza, duke shtuar se suksesi varet nga një ekip i aftë dhe nga përkushtimi për zbatimin e programeve.
Hamza u zotua për një qasje praktike dhe të përkushtuar në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, duke synuar përmirësimin e standardit të jetesës për qytetarët e Kosovës.
“Jo shumë llafe, por shumë më shumë punë. Përmes punës mund ta ndryshojmë gjendjen në ekonomi, arsim, shëndetësi, përmirësim të infrastrukturës dhe mbi të gjitha, të përmirësojmë standardin e jetesës së qytetarëve të Kosovës,” – shtoi ai.
Në përmbyllje, Hamza shprehu besimin se përvoja e tij personale i jep një avantazh të madh në garën për kryeministër.
“Besoj që rruga që kam kaluar më ka mundësuar të identifikoj problemet, të krijoj ekipin e duhur dhe mbi të gjitha, të kryej punë konkrete për përmirësimin e jetës në Kosovë,” tha Hamza.