Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka reaguar pas miratimit të projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025.
Përmes një komunikate, Sindikata e Punëtorëve e RTK-së thotë se është thellësisht e shqetësuar me shkurtimin e buxhetit të RTK-së edhe për vitin 2025 nga Qeveria e Kosovës.
Ata këtë situatë e quajnë emergjente.
“Me buxhetin e ndarë RTK do ta ketë të pamundur funksionimin, investimin në programe të reja dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore ndaj shikuesve, produksioneve të jashtme etj.
Me këtë buxhet nuk do të kemi rritje të koeficienteve, rritje të shujtës, por do të kemi vetëm mbijetesë, e situatë emergjente. Ndërsa në krejt sektoret në shtetin tonë janë rritur pagat”, thuhet në reagim.
Sindikata i bën thirrje Kuvendit si themelues i RTK-së që mos ta kaloj këtë formë të buxhetit që është propozuar nga ministria e financave për RTK-në.
“I bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë të na përkrahin fuqimisht për protesta e greva të cilat do ti fillojmë së shpejti pasi sot në Kuvend u miratua në lexim të parë projektbuxheti për vitin 2025.
I rikujtojmë depuetet që pagat në RTK nuk janë rritur nga viti 2007, një pagë e një punonjësi në gastronomi e tejkalon atë të një gazetari në RTK. Nga java e ardheshme do të ju njoftojmë për procedurat ligjore dhe për fillimin e protestave e grevave në gjithë RTK-në”.