Ministri i Bujqësisë, Faton Peci propozon që Darka e Lamës më 2 dhjetor të jetë edhe kremtë kombëtare.
Ai thotë se këtë vit më 2 dhjetor Ministria e Bujqësisë organizon “Darkën e Lamës”, atëherë kur edhe shënohet ditëlindja e presidentit Ibrahim Rugova.
“Darka e Lamës me 2 dhjetor – Propozoj të jetë edhe kremtë kombëtare. Me datën 2 dhjetor Ministria e Bujqësisë organizon “Darkën e Lamës”. Në vitin kur Zoti i dhuroi Kosovës shumë begati në çdo kulturë bujqësore vlerësoj se ky aktivitet tradicional që organizohet nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe ka zanafillën ideore nga Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, duhet të ketë përmasa edhe më të gjëra në organizim në të gjitha nivelet deri në shënim e kremtim kombëtar në çdo familje.
“Darka e Lamës” është shprehje e falënderimit ndaj Zotit për bereqetet e dhuruara dhe për zakonet e përcjella brez pas brezi. Këtë vit, ne e fillojmë këtë traditë edhe nga Ministria e Bujqësisë, me bindjen se ky aktivitet do të organizohet nga të gjitha nivelet institucionale e deri te çdo familje e çdo shtëpi, ku do të shtrohet Darka e Lamës me produkte bujqësore vendore, duke e kthyer këtë ngjarje në një mundësi ideale për promovimin e prodhimeve vendore”.
Ai thekson se në të ardhmen do t’i propozoj institucioneve të Republikës së Kosovës që data 2 dhjetor të kremtohet si një datë e veçantë anembanë Kosovës.
“Dita më e përshtatshme për shënimin e kësaj kremte le të jetë 2 dhjetori, që të shënohet çdo vit, në ditëlindjen e Dr. Ibrahim Rugovës, si shenjë falënderimi për angazhimin dhe përkushtimin e tij në shtetndërtim, si dhe për promovimin e kulturës dhe traditës autentike shqiptare. Në këtë kremtë do të falënderojmë prodhuesit vendor për mundin dhe angazhimin e tyre në sektorin e bujqësisë. Në të ardhmen, do t’u propozoj institucioneve të Republikës së Kosovës që data 2 dhjetor të kremtohet si një datë e veçantë anembanë Kosovës”.