Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE), ka shqyrtuar raportin mbi të Hyrat Maksimale të Lejuara për Ngrohtoren e Qytetit Termokos Sh.A për sezonin e Ngrohjes 2024/2025.
Në mbledhjen e njëmbëdhjetë të ZRrE-së, Astrit Saraqini, udhëheqës i departamentit për energji termike dhe gaz ka thënë se nevojitet të bëhet një alokim i vlerës së të hyrave të lejuara 10 milionë në komponente tarifore.
"Këto të hyra duhet të mblidhen prej tarifave mirëpo për shkak të strukturës tarifore, e cila është në fuqi që ka disa grupacione ose lloje tarifash që nevojitet të bëhet një alokim i vlerës së hyrave të lejuara 10 milionë në komponente tarifore", tha Saraqini.
Ndërsa, Saraqini ka theksuar se përkundër faktit se ngrohtorja e qytetit, njësia e projektit për matësit është zotuar se do të fillojë të plotë faturimin, tani nuk është i plotë, i mangët.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE), Ymer Fejzullahu tha se shpreson se edhe në vitin e ardhshëm edhe konsumatorët e tjerë të përshihen në faturimin e ngrohjes sipas konsumit.
“Aty ku pa pasur mundësi, ZRrE e ka mbështetur këtë projekt. Sipas planifikimit me këtë projekt dhe vlerësimit tonë më këtë projekt do të këtë kursime te konsumatorët”, tha Fejzullahu.
Ndërkohë, ZRrE, shqyrtoi edhe rivlerësimin e Sasisë se kapaciteteve transmetuese ndërkufitare Shqipëri-Kosovë për procesin e Bashkimit te Tregjeve, ku ZRRE më këtë rast miratoi kapacitetet mes dy vendeve Kosovës dhe Shqipërisë në vlerë prej 50 megavat.