Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka thënë se forumi politik i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë ka si mision të tij promovimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve frankofone, forcimin e kapaciteteve parlamentare dhe promovimin e demokracisë e të drejtave të njeriut në të gjithë botën frankofone dhe përtej saj.
Ai këto deklarime i ka bërë në seancën solemne të hapjes së Sesionit të 36-të të Asamblesë Rajonale të Evropës (ARE) të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë.
“Forum ky politik që në thelb të misionit të tij e ka promovimin e bashkëpunimit mes vendeve frankofone, forcimin e kapaciteteve parlamentare dhe promovimin e demokracisë e të drejtave të njeriut në të gjithë botën frankofone dhe përtej saj. Kultura e pasur frankofone ka qenë dhe mbetet inspirim për mbarë botën përderisa ndikimi i saj është shumë dimensional. Demokracia moderne evropiane nuk do të mund të imagjinohej pa kontributetet intelektuale dhe idetë politike të mendimtarëve francez. Idealet e lirisë barazisë e të drejtësisë nuk do të kishin qenë të mundura për t’u realizuar nëse nuk do të ishte deklarata franceze e të drejtave të njeriut e të qytetarit”, ka thënë Konjufca, raporton EO.
Organizmi i këtyre aktiviteteve, ai tha se është një dëshmi se lidhjet e Kosovës me vendet frankofone janë evidente dhe shumë miqësore.
“Për ne si shtet të qenit pjesë e asamblesë parlamentare të frankofonisë nuk është vetëm shprehje lidhjeve tona kulturore, por mundësi për angazhim edhe diplomatik dhe mbrojtje e vlerave të përbashkëta në nivel global sidomos në këto kohë të pa sigurta. Në këtë kontekst dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’iu falënderoj për mbështetjen po ashtu që i keni dhënë amendamentit tonë të propozuar vitin e kaluar nga delegacioni ynë për ta dënuar sulmin terrorist në veriun e Kosovës që ndodhi në shtator të vitit të kaluar me synim të parandalimit të destabilizimit dhe kërcënimit të sovranitetit dhe integritetet territorial të vendit tonë”, ka thënë ai.