Një person theri me thikë katër persona të hënën në Ferizaj, në mesin e të cilëve dy vajza të mitura. Lidhur me këtë mbrëmë u arrestua një person i dyshuar, mirëpo ai u lirua. Ndërsa Policia arrestoi sot një tjetër.
Prokuroria në Ferizaj ka konfirmuar për portalin rtv21, se 59 vjeçari me inicialet E.S që u arrestua dje është liruar pasi që ishte personi i gabuar.
Sipas Prokurorisë, personi me inicialet F.I që është arrestuar sot si i dyshuar për therjen me thikë në Ferizaj, ka qenë i dënuar për “Vrasje të rëndë”.
“Personi qe është arrestur mbrëmë me inicialet E.S si i dyshuar është liruar. I njëjti ishte arrestuar për shkak se iu është përshtatë profilit të të dyshuarit.
Ndërkohë sot Policia ka arrestuar F.I i dyshuari për vrasje të rëndë në tentativë, i njëjti ka qenë i dënuar për vrasje të rëndë”, kanë thënë nga Prokuroria.
Sipas Policisë, dy viktimat e mitura janë të komunitetit ashkali, ndërsa njëri prej burrave të lënduar është shtetas i Shqipërisë.
Tre prej katër personave që u therën me thikë në Ferizaj nga ta njëri i moshës madhore po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).