Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me vonesën për të paditur Serbinë për gjenocid dhe krime lufte.
KMDLNJ vlerëson se premtimi për padi për gjenocid kundër Serbisë ka qenë dhe mbetet premtim elektoral.
Sipas KMDLNj-së, “LVV dhe Albin Kurti patën premtuar se gjatë mandatit që e fituan me shumicë absolute do ta padisin Serbinë për gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit 1998 - 1999. Për këtë është rithemeluar e jo themeluar Instituti për Krime Lufte dhe është miratuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale”.
Më tej thuhet se KMDLNj ka qenë pjesë shumë kontribuese e Grupit Punues, si për rithemelimin e Institutit për Krime Lufte ashtu edhe për Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale.
“KMDLNj ka kundërshtuar që Instituti për Krime Lufte të jetë brenda dhe nën përgjegjësi të Zyrës së Kryemkmistrit por se duhet të jetë një institucion i pavarur hulumtues, jashtë çdo ndikimi politik sikur që është në çdo vend të botës. Drejtori i Institutit nuk ka kaluar nëpër filtrat e vlerësimit profesional përmes konkursit por është i emëruar politik i KM Kurti. Gjithashtu, dokumenti final i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale që është miratuar nga qeveria e Kosovës me propozim të MD - së nuk është i pranueshëm e as i zbatueshëm, as si formë e as si përmbajtje për faktin se nuk janë integruar brenda këtij dokumenti propozimet dhe rekomandimet e organizatave që kanë përvojë në këtë fushë përveç organizatave që kanë raport klientelist me qeverinë”, thuhet në reagim.
Në reagimin e KMDLNJ thuhet se “Kurti tha se qeveria e Kosovës është duke bërë punë të madhe në pregatitjen e padisë për gjenocid por shkaku i natyrës së çështjes, përmbajtja është konfidenciale sikur që disa injorantë korruptivë brenda FSK - së u përpoqën që marrëveshjen për furnizim me fasule për FSK - në ta trajtojnë si çështje konfidenciale apo si material i klasifikuar. Arsyetimi i KM Kurti se njëra ndër arsyet e konfidencialitetit qenka se Serbia ka qëndrim armiqësor, sa është e paqëndrueshme aq është edhe qesharake për faktin se padia e tillë nuk bëhet ndaj shtetit miqësor. E vërteta është se me statusin ndërkombëtar që e ka Kosova , nuk ka të drejtë të bëjë padi të tillë sepse duke mos qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara, e ka të pamundur qasjen në gjykatat që trajtojnë padi të tilla. Mundësia që këtë ta bëjë përmes një shteti apo vendi tjetër thuaja është e pamundur shkaku se askush nuk e merr një përgjegjësi të tillë, madje as Shqipëria”.
KMDLNJ thotë po ashtu se “premtimi për padi për gjenocid kundër Serbisë ka qenë dhe mbetet premtim elektoral që nuk ka gjasa teorike të realizohet gjatë këtij mandati e as në mandatin e radhës pavarësisht se kush do të jetë në krye të vendit. Instituti për Krime Lufte nuk ka kapacitet profesional të merret me këtë çështje dhe as materiale të mjaftueshme. Realisht, që nga themelimi nuk ka asnjë aktivitet hulumtues përveç se mundohet të përfitojë nga puna e të tjerëve, pa zgjedhur mjete për të ardhur te materialet. KMDLNj ka fakte të mjaftueshme për këtë”.
Në fund thuhet po ashtu se ky Institut mundet, përmes një bashkëpunimi korrekt e jo korruptiv dhe shantazhues, të punojë për ruajtjen e Kujtesës Historike përmes krijimit të një baze të të dhënave të përqëndruar, si një Institut i pavarur hulumtues e jo si një institut i instrumentalizuar nga politika.