Kandidati për kryeminstër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza është pritur ngrohtësisht nga mërgata në Stuttgart të Gjermanisë.
Nën brohoritjet e mërgatës, Hamza është shprehur mirënjohës dhe i bindur se përkrahja e tyre dhe e qytetarëve të Kosovës do t’ia sjellin fitoren PDK-së.
“Shpreh respektin për bashkatdhetarët tonë dhe për një prezencë kaq madhështore dhe një tubim kaq impozant dhe plot energji”, ka thënë Hamza.
I pyetur se pse u bind që të kandidojë për kryeministër, Bedri Hamza nga PDK tha se “Kosova meriton më mirë, më pak llafe e më shumë punë”.
Hamza theksoi nevojën për ndryshime të mëdha në qeverisje, duke theksuar se Kosova ka pësuar një stagnim viteve të fundit dhe se ka mundësi për përmirësim.
“Mendoj që Kosova, pavarësisht progresit, viteve të fundit ka pasur një stagnim. Jam i sigurt që Kosova mundet më mirë,” deklaroi Hamza, duke shtuar se suksesi varet nga një ekip i aftë dhe nga përkushtimi për zbatimin e programeve.
Kandidati për kryeministër u zotua për një qasje praktike dhe të përkushtuar në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, duke synuar përmirësimin e standardit të jetesës për qytetarët e Kosovës.
“Jo shumë llafe, por shumë më shumë punë. Përmes punës mund ta ndryshojmë gjendjen në ekonomi, arsim, shëndetësi, përmirësim të infrastrukturës dhe mbi të gjitha, të përmirësojmë standardin e jetesës së qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.
Hamza gjithashtu shprehu besimin se përvoja e tij personale i jep një avantazh të madh në garën për kryeministër.
“Besoj që rruga që kam kaluar më ka mundësuar të identifikoj problemet, të krijoj ekipin e duhur dhe mbi të gjitha, të kryej punë konkrete për përmirësimin e jetës në Kosovë,” tha Hamza.
Hamza ka dhënë edhe premtime të mëdha gjatë këtij tubimi. Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës do të kenë rritje të pagave qysh në fillim të mandatit të tij, nëse ai zgjidhet si kryeministër i Kosovës.
Tutje, ai ka premtuar se skemat pensionale dhe sociale do të fitojnë përkrahje të madhe në qeverisjen e tij.
“Unë po ju siguroj edhe garantoj, unë si kryeministër që njerzit do t’i marrin pagat me rritje në fillim dhe jo në fund të mandatit”, ka thënë Hamza para një tubimi në diasporë.
Megjithatë, Hamza nuk ka kursyer kritikat për qeverinë aktuale, për cilën ka thënë se nuk ka ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së është ndalur edhe tek çështja e dialogut. Ai ka thënë se dialogu do të trajtohet me seriozitetin më të madh me ardhjen e partisë së tij në pushtet.
Sipas Hamzës, Kosova nuk ka nevojë për acarim të raporteve me miqtë ndërkombëtarë, por përparim në procesin e dialogit, ngaqë sipas tij, ky proces deri tani ka pasur vetëm regres.
“Dialogu ka lëvizur me regres për shkak se gjithmonë është folur për njohjen e ndërsjellë. Ne insistojmë që të shkojmë në marrëveshje finale dhe njohjen e ndërsjellë për shkak se kjo temë duhet të mbyllet”, ka thënë ai.
Në të njëjtën linjë, Hamza ka theksuar se Kosova duhet t’i zhvillojë raportet e mira dhe të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka bërë të ditur se ia ka uruar fitoren presidentit Donald Trump ndërsa ka theksuar se pret bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të.
“Ia kam uruar fitoren presidentit Trump, po të njëjtën kohë i kam uruar edhe partitë e tjera politike, përfshirë atë republikane dhe demokratike për garën elektorale”, ka thënë Hamza.
Në bashkëbisedim të drejtpërdrejtë, Hamza komentoi edhe sektorin e drejtësisë në vend, të cilin e quajti si të mbingarkuar, ndërsa theksoi se ka shumë lëndë që presin me vite të tëra për trajtim.
“Konstatimi juaj që ka shumë lëndë që presin me vite për trajtim, sidomos në pjesën civile është shumë i saktë. Viteve të fundit, jo që s’kemi ne zvogëlim të numrit të lëndëve që po presin në gjykata por kemi një rritje diku për 80,000 lëndë”, deklaroi Hamza.
Sipas Hamzës, mbledhja e lëndëve po bëhet si shkak i numrit të ulët të trupit gjykues.
“Një drejtësi e vonuar nuk mund t’i thuash edhe drejtësi, andaj nuk mund të themi se nuk i kemi gjyqtarët e mirë, por i kemi të mbingarkuar. Për me zvogëlu numrin e lëndeve ne duhet ta rrisim numrin e gjyqtarëve”, shtoi ai.
I emocionuar, Hamza ka folur edhe për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët aktualisht ndodhen në Hagë.
Para një tubimi në diasporë, Hamza ka thënë se ndihet i lumtur që ka pasur fatin e jetës të punojë me ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
“Sa herë flas për ta, flas edhe me emocion. Jam i lumtur që kam pasur fatin e jetës të punoj me ta dhe bashkë përkrah tyre”, ka thënë Hamza ndërsa është brohoritur nga mërgata në Gjermani.
Tutje, Hamza ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së i mungojnë jo vetëm familjes, por edhe tërë Kosovës.
“Unë pres që ata të lirohen dhe t’i kthehen familjeve, të na kthehen neve dhe t’i kthehen Kosovës”, ka thënë Hamza.
Megjithatë, Hamza gjatë vizitës së tij në Gjermani la edhe një porosi për mërgimtarët që jetojnë atje.
Ai ftoi mërgimtarët që të investojnë dhe kontribuojnë për zhvillimin e Kosovës, ndërsa theksoi se “mërgatën e vlerëson për kontributin e jashtëzakonshëm në Kosovë”.
“Unë i ftoj dhe i lus që këta me ardh me investu në Kosovë dhe me kontribu edhe më tepër në zhvillimin e Kosovës, jo vetëm me sjell kapitale në Kosovë por edhe dijen e tyre në menaxhimin modern”, shtoi ai.
Ndryshe, Hamza ka bërë të ditur se në Partinë Demokratike të Kosovës do të jenë 110 kandidatë të profesioneve të ndryshme, përfshirë mjekë, inxhinierë, agronomë dhe ekonomistë, në mesin e tyre të rinj dhe të reja që do të garojnë në zgjedhjet e shkurtit.
Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025. Ato do të organizohen sipas Ligjit të ri për zgjedhjet. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës, votuesit mund të votojnë deri në 10 kandidatë të të njëjtit subjekt politik.