Koloneli në pension i Policisë, Rrahman Sylejmani, ka thënë se është e mundshme të ndodhë kapja e një personi të gabuar nga ana e Policisë nëse ka një përshkrim nga dëshmitarët okular që i përshtatet profilit të të dyshuarit.
Mirëpo sipas Sylejmanit kjo gjë mund të eliminohet gjatë marrjes në pyetje ku ka thënë se mund të kuptohet a ka lidhje i dyshuari me rastin konkret ose jo.
“Mund të ndodhë sepse nëse kanë pasur një përshkrim të tillë qoftë nëse e kanë marrë prej dëshmitarëve okular apo prej ndonjë incizimi të ndonjë kamere aty për aty ata munden por ajo mund të eliminohet qysh në hapin e parë sepse ata mund ta shohin gjatë marrjes në pyetje s ii dyshimtë dhe të dihet a ka lidhje me rastin konkret ose jo dhe ta lirojnë”, ka thënë ai.
Ndërkaq për mbajtjen në paraburgim gabimisht për 48 orë ish-koloneli Sylejmani ka thënë se është kohë e gjatë pasi ka treguar se edhe me ligj parashihet maksimumi deri në gjashtë orë.
“Po sigurisht që është kohë tepër e gjatë sepse duhet brenda një ore ose deri në 6 orë maksimum sepse edhe ligji i procedurës penale e parasheh deri në gjashtë orë. Mund t’i ndalojnë deri në gjashtë orë edhe persona të tjerë qoftë në vendin e ngjarjes apo në perimetër më të gjerë, por jo ta lënë ta fusin në burg sepse dikush është dashur para se ti caktohet paraburgimi prej 48 orësh ta zhvillojnë një bisedë preliminare informative me të dhe të shohin a ka njohuri për rastin, e jo t a lënë të qëndrojë 48 orë dhe pastaj ta shohin se kanë gabuar. Aty po del se askush se ka bërë këtë po vetëm e kanë vendosur në paraburgim”, ka shtuar ai.
Të hënën në Ferizaj një person sulmoi me thikë katër persona në tri zona të ndryshme të qytetit.
Lidhur me rastin, Policia fillimisht kishte arrestuar një person i cili sipas tyre i është përshtatur profilit të të kërkuarit por që të njëjtin më pas e kishte liruar pasi ka rezultuar se është arrestuar gabimisht.
“Si fillim është ndaluar një person tjetër i cili u raportua në media E.S, i njëjti i është përshtatur profilit të të dyshuarit. E kanë shiku atë, i kanë shiku kamerat, veshjen gjithçka është përshtat me të kërkuarin dhe me ngjarjen. Pra kanë qenë dyshimet e para se ai ka kryer këtë vepër penale, por më vonë është ndaluar një tjetër person që në fakt ka rezultuar që tashmë është i dyshuari kryesor në këtë rast. Pra ndalimi i tij është bërë për shkak se të dhënat i janë përshtatur profilit të të kërkuarit. Por për detaje të tjera besoj do të sqarohet Policia e Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e Prokuroria Themelore në Ferizaj, Vjosa Baftiu.