Për Qeverinë e vendit tonë, shkëmbimi i territoreve me Serbinë, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nuk duhet të vihet në diskutim.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se ekzekutivi ka pasur një qëndrim parimor dhe të qartë kundërshtues ndaj idesë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë dhe shton se kjo qeveri nuk përfshihet në diskutime që mund të rikthejnë një ide të tillë, si dhe e refuzon projekte e zgjidhje me karakter territorial.
Madje ai thekson se përpjekja për ndarje të Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial ‘nuk është projekt paqësor dhe ndez konflikt të gjerë e të gjatë në Ballkan’.
“Diskutimet rreth idesë së shkëmbimit të territoreve i patën dhënë një goditje të madhe integrimit të plotë e të qëndrueshëm të komunitetit joshumicë serb në komunat në veri të vendit. Në këto katër vjet, qeveria jonë është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme dhe institucionale që të rikuperojmë këtë dëm dhe kemi arritur suksese të rëndësishme përmes shërbimeve të reja publike, rendit dhe ligjit, dhe infrastrukturës publike. Qeveria jonë ka pasur një qëndrim të parimor dhe të qartë kundërshtues ndaj idesë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë, nuk përfshihet në diskutime që mund të rikthejnë një ide të tillë dhe e refuzon projekte e zgjidhje me karakter territorial. Përpjekja për ndarje të Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial nuk është projekt paqësor dhe ndez konflikt të gjerë e të gjatë në Ballkan”, thekson në një përgjigje me shkrim Përparim Kryeziu.
Ideja u riaktualizua javën e kaluar, kur kandidatja për komisionare të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Marta Kos, u deklarua kundër saj.
“Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, ka thënë Kos në një seancë në Parlamentin Evropian.