Qeveria miraton strategjinë sektoriale të shëndetësisë 2025-2030

Aktuale

Qeveria miraton strategjinë sektoriale të shëndetësisë 2025-2030

Më: 13 nëntor 2024 Në ora: 12:50
Foto ilustrim

Qeveria ka miratuar strategjinë sektoriale të shëndetësisë 2025-2030, e cila u konsiderua se do të kontribuojë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar u miratua edhe nisma e lidhjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për mekanizëm për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor.

Ministri i Financave, Hekuran Murati deklaroi se partneriteti me Bashkimin Evropian përmes këtij mekanizmi përfaqëson një angazhim të përbashkët për reforma.

Murati: Marrëveshja ka për qëllim përshpejtimin e përafrimit me legjislacionin e BE-së

“Marrëveshja ka për qëllim përshpejtimin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, integrimin ekonomik rajonal, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimin Evropian, duke plotësuar pra fondet e instrumentit të para-anëtarësimit apo IPA. Në qendër të këtij përkushtimi qëndron agjenda e reformave të Kosovës. Agjendë e cila përfshin reforma për administratë publike, menaxhimin financave publike, digjitalizimin e shërbimeve dhe infrastrukturës, politika të dekarbonizimit, efiçiencës së energjisë, rregullimin e mjedisit afarist, arsimin, tregun e punës dhe sundimin e ligjit”, deklaroi Murati.

Ai e konsideroi këtë marrëveshje si hap vendimtar dhe pikë reference në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhme të qëndrueshme brenda familjes evropiane.

Murati: Kjo marrëveshje arrin totalin prej 882,6 milionë euro

“Kjo marrëveshje siç tanimë është publikuar arrin totalin prej 882,6 milionë euro nga të cilat rreth 253 milionë euro janë grant kurse pjesa tjetër është kredi prej 629 milionë eurove janë kredi. Një pjesë prej 34.7 për qind e kredisë do të transferohet në kornizën e investimeve të Ballkanit Perëndimor, ku po ashtu janë të alokuara edhe fondet e grantit. Secili disbursim i kredisë, parashihet të ketë afat prej 40 viteve pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ku pagesa e krye gjësë së kredisë së disbursuar do të fillojë tek në vitin e 2034, apo pesë 10 viteve”, shtoi Murati.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar edhe strategjia sektoriale të shëndetësisë 2025-2030.

Kryeministri Albin Kurti tha se me këtë strategji do të kontribuohet në përmirësimin e shëndetit të popullatës.

Kurti: Me këtë strategji do të kontribuohet në përmirësimin e shëndetit të popullatës

“Reforma në sektorin e shëndetësisë do të synojë qasjen e plotë për të gjithë qytetarët për shërbime shëndetësore cilësore dhe të sigurta pa vështirësi financiare. Me këtë strategji do të kontribuojmë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe përmirësimit e shëndetit të popullatës. Kjo do të arrihet me sigurimin e qasjes universale dhe të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore dhe të përballueshme për të gjithë qytetarët e vendit”, deklaroi Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë prezantimit të kësaj strategjie tha se udhëheqja e sektorit të shëndetësisë është përgjegjësi e madhe, për çka u zotua për përmirësimin e cilësisë dhe të sigurisë së shërbimeve shëndetësore.

Vitia: Strategjia do të kontribuojë në mirëqenien e popullatës

“Strategjia që sot po miratohet synon realizimin e vizionit të saj për popullatë të shëndetshme, shërbime shëndetësore cilësore dhe të sigurta, në qasje të lehtë të barabartë por edhe kosto efektive. Strategjia sektoriale e shëndetësisë dhe plani i veprimit synon tu jap politikë politikbërësve në shëndetësi, institucioneve shëndetësore dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në sektor mundësinë që përmes një qasje gjithëpërfshirëse të kontribuojnë dhe të fokusohen në faktorët që kanë ndikim në shëndetin dhe mirëqenien e popullatës. Zbatimi i synimeve tona të përcaktuara me strategji do të mundësojnë kalimin e sistemit tonë shëndetësor nga niveli i mirëmbajtjes në një sistem shëndetësor në zhvillim, duke ndryshuar format e financimit përmes funksionalizimit të skemës së sigurimit shëndetësor të detyrueshëm, integrimin e shërbimeve dhe rritjen e transparencës e llogaridhënies me qëllim të rritjes së besimit të qytetarëve në sistemin shëndetësor”, deklaroi Vitia.

Qeveria ka vendosur që t’i japë në shfrytëzim Komunës së Shtimes disa prona të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tregoi se cilat objekte do të ndërtohen në pronat e kërkuara.

Krasniqi: Pronat e kërkuara janë të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës

“MAPL konform mandatit të saj ligjor në këtë mbledhje të qeverisë miratimin e vendimit lidhur me kërkesën e parashtruar nga Komuna e Shtimes për dhënien në shfrytëzim afatgjatë për pronat e menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për investimet strategjike në realizimin e projekteve, ndërtimi i objektit të ri të komunës, përfundimi i projektit të tregut të gjelbër dhe ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së, objektet rekreative sportive, pishina dhe poligone për çiklizëm. Pronat e kërkuara nga Komuna e Shtimes janë të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës”, u shpreh Krasniqi.

Në fund të mbledhjes së kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti e ndërpreu transmetimin, ku tha se do të diskutohen dy propozime të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ai tha se “përmbajtja kërkon diskutim konfidencial”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat