Prokuroria kërkon paraburgim për dy të dyshuarit për vrasjen e 37 vjeçarit në Gjilan

Aktuale

Prokuroria kërkon paraburgim për dy të dyshuarit për vrasjen e 37 vjeçarit në Gjilan

Më: 13 nëntor 2024 Në ora: 17:07
Sokol Osmani 

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Valmir Salihu dhe  Florian Mitev të dyshuar për vrasjen e 37 vjeçarit në Gjilan.

Prokuroria njofton se “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit V.S. dhe F.M., me datën 7 nëntor 2024, rreth orës 13:55 minuta, në rrugën ,,Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake, e kanë përcjellë të njëjtin duke i’u vu pas me biçikleta, me ç’rast pasi i ndjeri ka dalë nga vetura, afrohen të pandehurit dhe nga afërsia i pandehuri V.S., gjuan një herë me armë në drejtim të tij në anën e majtë mbrapa shpinës, i cili për shkak të plagës ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas ikin në drejtim të panjohur”.

Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të KPRK-së.

Ndërsa, Valmir Salihu dyshohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, të KPRK-së, pasi  pa autorizim, ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila është sekuestruar.

Një ngjarje e rëndë kishte ndodhur me 7 nëntor në Gjilan, gazeta mësoi pas rastit se viktima ishte Sokol Osmani rreth 37 vjeçar, i cili u gjet i vdekur në cep të rrugës në Gjilan.

Kujtojmë se pandehurit e lartshënuar me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat