Ish-kryetari i Apelit, Hasan Shala, ka thënë se i dyshuari për sulmin e rëndë me thikë në Ferizaj, ku katër persona mbetën të plagosur, përfshirë dy fëmijë, duhet të kalojë në një kontroll të plotë psikiatrik.
Shala ka theksuar se populli kosovar nuk njihet ndërkombëtarisht për krime me sfond racist, prandaj çdo sinjal që sugjeron ndryshe do të ishte një dëm i madh për vendin.
“Nuk jemi të njohur si popull që bëjmë krime raciste, prandaj nëse ne ndërkombëtarisht na del një zë që e kemi edhe racizmin atëherë konsideroj që është problem për ne dhe një dëm shumë i madh për vendin. Por bëj apel që ky person të shikohet nëse është në rregull psiqikisht”, ka deklaruar Shala për emisionin FIVE.
Ndërkohë, edhe avokati Arbër Jashari, ka kërkuar që të kryhet një ekzaminim psikiatrik për të dyshuarin, për të përcaktuar nëse ai vuan nga ndonjë çrregullim të personalitetit apo sëmundje mendore. ‘“Është e pakuptueshme sesi një njeri me vetëdije të plotë e me logjik të shëndosh nuk bën të tilla krime,” ka deklaruar ai.
I dyshuari, i cili u dorëzua në polici të martën, më parë kishte vuajtur dënim për vrasjen e një gruaje.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarin F.I., 62-vjeçar.