Partia Liberale Egjiptiane e ka dënuar ashpër sulmin në Ferizaj, ku nga një burrë u plagosën 4 persona me thikë dhe prej tyre ishin dy vajza të mitura dhe dy të rritur. Të 4 të plagosurit janë me përkatësi nga komuniteti Egjiptian, Ashkali dhe Rom.
Partia Liberale Egjiptiane shpreh shqetësim të thellë me rastin e ndodhur, sidomos pasi që Prokuroria Themelore në Ferizaj deklarohet se sulmuesi ka kryer veprat për shkak të përkatësisë etnike.
“Situata është edhe më e rëndë për arsye se nga 4 të plagosurit, 2 prej tyre janë fëmijë dhe kjo është e papranueshme dhe sjellë pasiguri për fëmijët tonë në jetën e përditshme. Autoritetet Kosovare duhet urgjentisht të marrin një qëndrim të fortë dhe të sigurojnë që tu përmbahen ligjeve ku garantohen të drejtat e njeriut për të gjithë pa dallime etnie”, thuhet në reagim.
Sipas këtij subjekti politik, racizmi nuk ka vend në shoqërinë kosovare.”Prandaj shteti e ka për obligim të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore dhe të sjellë drejtësi ndaj secilit rast kurdo dhe kudo që ndodhë”, thuhet në reagim.
ndërkohë, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj F.I. që dyshohet se theri me thikë katër persona në Ferizaj të hënën.
Ai ishte dorëzuar në polici të martën, duke e pranuar sulmin. Fillimisht policia kishte arrestuar një person tjetër për sulmin.