​Incidenti në Fushë Kosovë, IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë

Aktuale

​Incidenti në Fushë Kosovë, IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë

Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 18:07
Foto ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës nën dyshimet për veprën penale keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.

Informacionet e para lidhur me këtë rast IPK-ja i ka pranuar nga Policia e Kosovës dhe pas veprimeve fillestare hetimore dyshohet se dy zyrtarë policorë nga njësia e trafikut të kryeqytetit dhe një zyrtar tjetër i Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kanë tejkaluar autorizimet e tyre të përdorimit të forcës.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e datës 11 nëntor 2024 në Fushë Kosovë, me rastin e një ndalimi në trafik të një qytetari nga zyrtarët policorë.

Hetuesit e IPK-së në konsultim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pritet të ndërmarrin veprime tjera hetimore drejt sqarimit të rrethanave të këtij incidenti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat