Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka kërkuar një hetim të thellë për rastin e Ferizajt ku u therën me thikë katër qytetarë të pafajshëm.
“Rasti i fundit në Ferizaj, ku katër qytetarë të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë u sulmuan për shkak të urrejtjes etnike, është një goditje për të gjithë shoqërinë tonë. Ky akt, që përfshin dy të mitura, është i papranueshëm dhe kërkon një reagim të menjëhershëm nga të gjitha institucionet tona”, ka shkruar Bytyqi.
Ajo i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin hapat e nevojshëm që ky rast të trajtohet me ashpërsinë e plotë të ligjit, duke garantuar drejtësi për viktimat dhe duke dërguar mesazhin se urrejtja etnike nuk do të tolerohet.
“Ky është një moment ku duhet të qëndrojmë të bashkuar për të parandaluar përçarjet ndëretnike në vendin tonë. Është jetike që të bëhet një hetim i thellë për të kuptuar burimin e kësaj urrejtjeje dhe për të ndërtuar mekanizma mbrojtës për brezat e rinj. Duhet të angazhohemi për një shoqëri të barabartë, ku çdo qytetar, pavarësisht etnisë, ndihet i sigurt dhe i respektuar”, shkruan Bytyqi në Facebook.