Osmani shpreson se Kosova edhe në administratën Trump do të mbetet në fokusin amerikan

Aktuale

Osmani shpreson se Kosova edhe në administratën Trump do të mbetet në fokusin amerikan

Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 21:06
Jeffrey Hovenier dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpreson se Kosova edhe me administratën e re të Trumpit do të mbetet në fokusin amerikan.

Osmani këtë deklaratë e ka bërë gjatë takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen historike bipartizane dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, si dhe nënvizoi angazhimin e përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Në raport me ndryshimet në administratën amerikane si rezultat i zgjedhjeve të fundit, Presidentja Osmani përsëriti urimet e Kosovës për Presidentin Trump dhe kabinetin e tij, teksa theksoi se aleanca e Kosovës me SHBA-të është ekzistenciale, ndaj shfaqi shpresën që edhe me administratën e re do të vazhdojë bashkëpunimi i shkëlqyeshëm dhe se Kosova edhe më tej do të mbetet në fokusin amerikan”, thuhet në njoftim.

Kandidati republikan Donald Trump javën e kaluar është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm.

Ai me një diferencë të madhe votash ka lënë prapa kandidaten e demokratëve, Kamala Harris.

Donald Trump pritet të inaugurohet për një mandat të ri më 20 janar të vitit 2025.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat