Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku thotë se nëse kjo parti vjen në pushtet do ta ndryshojë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit - të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Sipas saj, kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën pasi nuk e ka njohjen reciproke në qendër dhe se “flet për një autonomi territoriale dhe politike për komunitetin serb në Kosovë”.
Për të gjetur zgjidhje në dialog, zyrtarja e lartë e partisë opozitare thotë se nevojitet komunikim me vendet aleate. Këtë, thotë ajo, PDK do ta bënte menjëherë pas marrjes së mandatit.
Çitaku: Porsa të vijmë në pushtet do ta ndryshojmë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit
“Ajo çka kemi në tavolinë është një marrëveshje e cila nuk është as finale, as gjithëpërfshirëse dhe nuk e ka në qendër njohjen reciproke, por mosnjohjen reciproke. Sikurse më nuk flitet për Asociacion, por në thelb është një autonomi territoriale dhe politike...Ne do të trajtojmë me seriozitet këtë çështje dhe menjëherë porsa të marrim detyrën, dialogun do ta nisim me aleatët tanë për të gjetur një zgjidhje. Nuk është e vërtetë se marrëveshjet nuk kanë ndryshuar ndonjëherë. Në fakt marrëveshjen e ka ndryshuar edhe vet kryeministri Kurti për të keq, por ka pasur raste që marrëveshjet janë ndryshuar pasi janë pranuar edhe për të mirë. Një nga ato është procesi i transformimit të mandatit të FSK-së në ushtri. Është paraparë që të bëhet me Kushtetutë, por ne kemi arritur ta bëjmë me ligj”, thotë Çitaku.
Ajo kritikon kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas saj e ka humbur mundësinë që Kosova të hartojë vet një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Siç thotë ajo, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ofruar ekspertizë dhe këshilltarë profesionalë për të ndihmuar Kosovën që të hartojë një draft-statut që nuk do të cenonte rendin kushtetues.
Çitaku: ShBA-të kishin ofruar ekspertizë për të ndihmuar Kosovën të hartojë një draft-statut të Asociacionit
“Ka pasur një kërkesë dhe insistim, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që Kosova të hartojë vet draft-statutin e Asociacionit. Për më tepër SHBA-të kishin ofruar ekspertizë, këshilltarë profesionalë për të ndihmuar Kosovën që të hartojë një draft-statut që nuk do të cenonte rendin kushtetues”, deklaron ajo.
Duke folur për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, ajo shprehet e sigurt se PDK-ja do të jetë fituese.
Çitaku: Hamza është antipodi më i madh i kryeministrit Kurti
“Ne do të kemi ofertën më të mirë për qytetarin e Kosovës. Kandidati ynë është antipodi më i madh i kryeministrit Kurti. Ai [Bedri Hamza] është njëri i fjalës, punës, i përgjegjshëm, profesionist dhe zotimin publik e mban. Për të gjitha këto që po i them ka një histori, pasi zotëri Hamza ka mbajtur pozicione të rëndësishme publike, si ministër, guvernator dhe tani si kryetar i Komunës së Mitrovicës. Kudo që ka shërbyer ka lënë shenjë të mirë”, thotë sekretarja e PDK-së.
Megjithatë, Çitaku është më e rezervuar sa i përket koalicioneve paszgjedhore.
Sipas saj, PDK-ja është e fokusuar të fitojë zgjedhjet dhe më pas të diskutojë për koalicione me parti të cilat janë më të përafërta edhe ideologjikisht, edhe në program zgjedhor.
Mirëpo, ajo nënvizon se hendeku mes PDK-së dhe partisë në pushtet - Lëvizjes Vetëvendosje - është shumë i thellë “andaj edhe është i vështirë një bashkëpunim në të ardhmen”.
Çitaku: Hendeku mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje është shumë i thellë
“Çështja e koalicioneve është debat i studiove televizive dhe politikanëve. Qytetari i Republikës së Kosovës nuk shqetësohet për koalicione...PDK-ja është në garë për të fituar besimin e qytetarëve të Kosovës dhe pasi të fitojmë besimin e qytetarëve, do të ndërtojmë koalicione me parti të cilat jemi më të përafërta edhe ideologjikisht dhe në thelb të programit. Të jem shumë e sinqertë, hendeku mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje është shumë i thellë. Të gjitha partitë të tjera kanë hendek më të vogël me LVV-në sesa ne. Por për koalicione do të flasim pas zgjedhjeve”, përfundon sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel. Një muaj më vonë ishte arritur dakordim për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Pavarësisht kësaj dhe takimeve jo të rralla të palëve në nivel të kryenegociatorëve, ende nuk ka nisur zbatimi i saj.
Krahas PDK-së, edhe dy partitë e tjera opozitare - LDK e AAK - e kanë quajtur të dëmshme këtë marrëveshje e cila sipas tyre sjell autonomi për serbët në Kosovë.
Mirëpo, kryeministri Albin Kurti, por edhe eksponentë të partisë në pushtet, të njëjtën e kanë konsideruar si të dobishme për vendin dhe sipas tyre sjell njohjen de-facto ndërmjet vendeve.