Jakaj: Kryetari i Kuvendit të nisë veprimet për zbatimin e aktgjykimit për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik

Aktuale

Jakaj: Kryetari i Kuvendit të nisë veprimet për zbatimin e aktgjykimit për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 11:41
Foto ilustrim

Hulumtuesi i Lartë në IKD, tha se përgjegjës për moszbatimin e një aktgjykimi të tillë është edhe Kuvendi dhe Kryetari i saj, andaj sipas tij ai duhet të thërrasë në takim Kryetarin e Komisionit Funksional ku ai ligj shqyrtohet

“Ne kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës që të thërrasë në takim Kryetarin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, z. Valon Ramadani. Kryetari i këtij komisioni, në bazë të kompetencave të tij ligjore dhe funksionale, ka përgjegjësinë që të nisë urgjentisht hartimin e projektligjit të ndryshuar për pagat në sektorin publik. Kjo kërkesë është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar Kuvendin të miratojë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Pagat”, tha Jakaj.

Sipas tij, një kompetencë të tillë Kryetarit të Kuvendit ia jep Rregullorja e Kuvendit si dhe detyrimi për ta zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Rregullorja e Kuvendit, në nenin 16, përcakton funksionet e Kryetarit të Kuvendit, i cili ka detyrën për të siguruar zhvillimin e punës parlamentare. Për më tepër, neni 33 i Rregullores përshkruan përgjegjësitë e kryetarit të komisionit për të propozuar planet e punës dhe për të organizuar punën e komisionit në përputhje me kalendarin e Kuvendit. Në këtë kontekst, është përgjegjësia e Kryetarit të Komisionit për Administratë Publike që të ndërmarrë hapa konkretë për zbatimin e këtij vendimi të rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ai.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahjen e National Endoëment for Democracy (NED) të premten mbajtën konferencën e përbashkët me Federatën e Shëndetësisë dhe Sindikatën e Administratës Publike ku diskutuan mbi moszbatimin me kohë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat