Me rastin e 10 vjetorit të krijimit të Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës, është vlerësuar lartë roli i saj në fuqizimin e drejtësisë dhe ngritjes ekonomike.
Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës, Isa Shala tha se gjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçare është shënuar progres i madh në përmbarimin e vendimeve gjyqësore si dhe dokumenteve të tjera përmbarimore.
Ndër të arriturat, Shala përmendi rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor, kthimin e miliona eurove për kreditorët, ulja e normës mesatare efektive e interesit bankar për kredi mbi 11 për qind e të tjera.
Përveç këtyre, Shala potencoi sfidat me të cilat janë përballur përgjatë 10 vjetëve.
Zbatimi i duhur i dispozitave të caktuara në Ligjin për Procedurën Përmbarimore, kalimi i efikasitetit nga debitori, tek kreditori e ndryshimi i udhëzimit për tarifa janë ndër sfidat e nënvizuara nga kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës, Isa Shala.
Përveç këtyre, ai përmendi vështirësitë me të cilat janë ballafaquar gjatë kohës së pandemisë Covid-19.
Përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Fahret Velija tha se pavarësisht sfidave, këto 10 vjet ishin të suksesshme për Odën e Përmbaruesve Privat të Kosovës. Ai tha se pa përmbarim, drejtësia mbetet vetëm në letër dhe se palët mbesin pa e marr të drejtën e tyre.
Velija potencoi se sistemi i përmbarimit është më i vështirë se ai i noterëve, për shkak të ballafaqimit me probleme në terren.
Ai u zotua për mbështetje më të madhe ndaj OPPK-së nga KGJK-ja.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Unionit Ndërkombëtar të Përmbaruesve, Dovile Satkauskiene tha se Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës është pjesë esenciale e sistemit ligjor.
Përveç kësaj, Satkauskiene tha se sistemi u përmbarimit ka krijuar stabilitet në ekonominë e Kosovës, duke krijuar ambient atraktiv për investitorët.
Ajo u shpreh se vlerëson marrëdhëniet bashkëpunuese mes përmbaruesve të Kosovës dhe aty të Lituanisë, duke shpresuar që në të ardhmen të shkëmbejnë përvojat e tyre.
Zëvendësdrejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Misionin e USAID-it, Jamie Evants Butler potencoi se Oda e Përmbaruesve të Kosovës ka luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e sundimit më të mirë të ligjit dhe ngritjen ekonomike. Ai theksoi se suksesi i përmbaruesve është i pa mohueshëm gjatë këtyre viteve.
Butler tha se përmbaruesit kanë eliminuar shumë raste te pazgjidhura në Kosovë dhe kanë fuqizuar drejtësinë.
Ndërkaq, ndër planet e Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës është nevoja urgjente për ndryshimin rrënjësor dhe unifikimin e dispozitave të Ligjit për Procedurën Përmbarimore.