​S’kalon amendamenti i AAK-së për rritjen e koeficientit

Aktuale

​S’kalon amendamenti i AAK-së për rritjen e koeficientit

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 17:51
Foto nga mbledhja

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kritikuar sërish ekzekutivin e vendit të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, pasi që sipas tyre nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre. Ndonëse, deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje e konsiderojnë projektbuxhetin 2025 si zhvillimor.

Kryetari i këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja ka bërë të ditur se për projektbuxhetin 2025 janë propozuar 122 amendamente nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë mbledhje nuk ka kaluar amendamenti i AAK-së për rritjen e koeficientit në 150 euro.

Muja: Kemi pranuar 122 amendamente prej deputetëve

“Mbledhjet e tilla, kanë zakonisht kohëzgjatje ndërmjet 4 deri në 7 orë, kështu që ne do të fillojmë të trajtojmë fillimisht amendamentet, ose pjesën tekstuale pasuar, pastaj nga aspektet e shqyrtimit juridik që mund të ketë zyra për shërbime juridike, nga kërkesat buxhetore të nivelit qendror, të nivelit lokal, për të pasuar pastaj edhe amendamentin me deputet. Kemi pranuar 122 amendamente prej deputetëve”, tha ai.

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Buxhet nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se procedimi kaq i shpejtë i projektbuxhetit është ‘qesharak dhe tragjik’.

Ai duke kritikuar partinë në pushtet për përshpejtimin e procedurave të shqyrtimit të projektbuxhetit 2025 në lexim të dytë, ka kërkuar nga të gjitha partitë që të votojnë amendamentet e partive opozitare që përbëjnë kërkesat e komunave qoftë për infrastrukturë dhe të tjera.

Lushtaku: Të marrin mbështetje amendamentet pa dallime politike

“Ky ligj i cili prekë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Prezantimi kaq i shpejt është qesharake dhe tragjike... Kështu deputetët dhe institucionet lokale kanë pasur kohë deri të mërkurën në orën 13:00 me dhënë propozimet e tyre për amendamentet për këtë ligj, i cili është vital për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe prekë drejtpërdrejt në gjithë funksionimin e shtetit. Është mirë më bërë një shembull ne si anëtarë të Komisionit për shqyrtimin e të gjitha propozimeve me profesionalizëm, por edhe me shikuar se si t’i tejkalojmë dhe t’i mbështesim disa propozime që janë në të mirë të funksionimit të shtetit, gjithsesi edhe të komunave, sepse me të vërtet mjaft të arsyeshme që qytetarët po hasin në vështirësi në aspektin infrastrukturor, por edhe në aspektin e mirëqenies së tyre në përditshmëri. Prandaj, besoj të kemi mbështetje pa dallime politike e regjionale, qoftë Drenicë, Dukagjin, Anamoravë apo rajone të tjera të kemi mbështetje”, theksoi Lushtaku.

Ndërsa, deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj tha se projektbuxheti i vitit të ardhshëm ‘është buxhet i Vetëvendosjes’, sepse sipas tij ky projektbuxhet do t’i shërbej më së paku qytetarëve të të Kosovës.

Lekaj: Ky buxhet është buxhet i Vetëvendosjes

“Ky buxhet është buxhet i Vetëvendosjes dhe jo i qytetareve të Kosovës. Asnjë organizatë buxhetore nuk e ka pasur hapësirën që të vij dhe të kërkoj ajo që është interes i tyre, as nga komunat, as organizatat e tjera dhe sot i kemi qit para aktit të kryer dhe mund të them që ky buxhet, më së pakti do t’i shërbej qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shtoi Lekaj.

Një nga amendamentet e para të prezantuara ishte ai i shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i cili kishte propozuar të rritet kategoria e shpenzimeve, pagave dhe shtesave për 50 milionë euro në mënyrë që të zbatohet rritja e koeficientit në 155 euro për punonjësit e sektorit publik.

Muja: Të rritet kategoria e shpenzimeve, pagave dhe shtesave për 50 milionë euro

“Të rritet kategoria e shpenzimeve, pagave dhe shtesave, për 50 milionë euro, në mënyrë që të zbatohet rritja e koeficientit, në 155 euro për punonjësit e sektorit publik, nga data 1 janar i vitit 2025”. Ka propozuar Tahiri”, tha Muja.

Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati e ka quajtur joserioz amendamentin e shefit të GP të AAK-së, Besnik Tahiri për shtimin e buxhetit prej 50 milionë euro për pagat.

Murati: Propozimi i AAK jo serioz

“Rritja për vitin e ardhshëm parashihet të jetë prej 110 euro mbi pagën ekzistuese që e kanë, sepse të gjithëve u mundësohet nga një njësi koeficienti. Kjo do të të bëhet në dy faza… Pra, edhe kemi propozuar rritjen e pagave edhe e kemi ndarë buxhetin përkatës. Propozimi në fjalë, ka vetëm një propozim që nuk është edhe kaq serioz, sepse nuk parasheh as gjetjen e mjeteve apo burimin e financimit”, tha Murati.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, nuk e mbështeti propozimin e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Kuvendi i Kosovës me 59 vota pro dhe dy abstenime, ka miratuar në parim projektbuxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë e 600 milionë euro apo rreth 300 milionë euro më i madh se në vitin 2024. Me këtë projeksion, për investime kapitale janë planifikuar 930 milionë euro.

Ndërsa, 916.5 milionë euro pritet të shkojnë për paga, duke përfshirë një rritje prej 55 euro për çdo punonjës të sektorit publik nga janari, ndërsa 110 euro nga korriku. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat